Policia e Kosovës ka dhënë informacione plotësuese për vrasjen e 18 vjeçarit në Podujevë. Pas raportimit fillestar të policisë ku rastin e cilësuan si “Therje me thikë”, pastaj “Vrasje në tentativë”, tani policia ka orientuar hetimet në drejtim të veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Policia ka dhënë shpjegim se arsyeja e sulmit ndaj 18 vjeçarit ka qenë pas një zënke që të miturit kanë pasur mes vete, ditën kritike.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 14.01.2024, rreth orës 13:00, në rrugën “Drenica”, në Podujevë, ku dyshohet se rrahja ka qenë vazhdimësi e një konflikti mes tyre që kishte ndodhur disa minuta më herët në rrugën “Jusuf Gërvalla” në Podujevë.
“Ngjarja që i referoheni ka ndodhur më, 14.01.2024, rreth orës 13:00, në rrugën “Drenica” në Podujevë. E njëjta dyshohet të jetë vazhdimësi e një zënke (mosmarrëveshje apo konflikti) të ndodhur po të njëjtën ditë, disa minuta përpara, në rrugën “Jusuf Gërvalla” në Podujevë“, thuhet në përgjigje.
Policia ka treguar se fillimisht rastin e ka trajtuar si “Vrasje në tentativë” e më pas “Vrasja e rëndë”.
“Që nga momenti i parë rasti është trajtuar si “Vrasje në tentativë” dhe në vazhdimësi është punuar në mbledhjen e provave, fakteve e dëshmive, përfshirë këtu edhe marrjen e video pamjeve nga kamera të ndryshme, e që do ti kontribuonin zbardhjes së rastit. Përfundimisht pas marrjes së konfirmimit nga ana e klinikës ku po trajtohej viktima se i njëjti ka ndërruar jetë, atëherë me autorizimin e prokurorit të shtetit policia ka ri cilësuar veprën dhe ka orientuar hetimin në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë””, thuhet në njoftim.