Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka reaguar ndaj kërkesave për ndërprerjen e financimit të Listën Serbe nga buxheti i shtetit të Kosovës.
Ai ka bërë me dije se as Presidenca dhe as KQZ-ja nuk munden në mënyrë arbitrare me ia ndalë financimin një partive politike e cila është e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, Miftaraj ka treguar se si mund të bëhet kjo.
“Financimi i partive politike është i rregulluar me ligj. Ndarja e mjeteve financiare për parti politike bazohet në fuqinë politike të secilës parti politike në bazë të numrit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. KQZ e as Presidenca nuk munden në mënyrë arbirtrare me ndalu financimin ose ndarjen e mjeteve financiare për asnjë parti politike që përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës. I kuptoj partitë politike që bëjnë fushatë me Listën Serbe, por nuk i kuptoj disa ekspertë të pavarur që mbajnë qëndrime që janë jashtë rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës", ka shkruar Miftaraj.
Ai ka bërë me dije se financimi për një parti politike mund të ndalohet vetëm nëse ajo shpallet anti-kushtetuese.
"KQZ mundet me ndalu financimin e një partie politike vetëm nëse me vendim tëe gjykatës e njëjta parti politike shpallet kundër-kushtetuese dhe përjashtohet nga Kuvendi i Kosovës përmes një procesi gjyqëesor. Deri sa nuk kemi një vendim gjyqësor për shpalljen e partisë politike kundërkushtetuese edhe zërat për të ndaluar financimin e partisë nga KQZ nuk duhet marr shumë seriozisht”, ka shkruar Miftaraj.