Osmani deklarohet pas takimit me ministrin çek

Aktuale

Osmani deklarohet pas takimit me ministrin çek

Më: 24 janar 2024 Në ora: 08:16 Përditësuar në ora: 12:19 më 24.01.2024
Martin Dvorak dhe Vjosa Osmani

Osmani pas takimit me Dvorak: Anëtarësimi i Kosovës në KiE, NATO e BE janë domosdoshmëri

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar sot me ministrin për Çështje Evropiane të Çekisë, Martin Dvorak.

Osmani e Dvorak folën për situatën aktuale politike dhe atë të sigurisë, forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe stabilitetin rajonal, teksa bëhet e ditur se është theksuar domosdoshmëria e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, në NATO dhe BE.

“Presidentja Osmani, nënvizoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, duke theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, përfshirjen në Partneritetin për Paqe, anëtarësimin në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare”.

“Duke nënvizuar vazhdimin e mbështetjes së Republikës Çeke në këtë rrugëtim, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë strategjike të përfshirjes së Kosovës në PfP, e më pas në NATO, si një garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Ndërlidhur më këtë, Presidentja Osmani, gjithashtu tha se Kosova meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE, si vend që ka realizuar reforma rrënjësore”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Ndërsa, ministri çek i tha Osmanit se agresioni i 24 shtatorit në Banjskë, i mbështetur dhe sponsorizuar nga Serbia “ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë Ballkanit Perëndimor”.

“Tutje, Presidentja Osmani theksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog”.

“Duke spikatur marrëdhëniet e kahershme pozitive ndërmjet Kosovës dhe Republikës Çeke, të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët”, thuhet në njoftim.

Osmani pret në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur  të mërkurën në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák.

Takimi është duke u zhvilluar në objektin e presidencës dhe mediat janë lejuar që të marrin pamje vetëm ne fillim të takimit.

Dvořák, sot gjatë ditës do të takohet edhe me Kryeministrin, Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi.

Pas përfundimit të takimeve bilaterale, zëvendëskryeministri Bislimi dhe Ministri për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak, do të mbajnë konferencë për media.

Ministri çek vizitë në Kosovë - takohet me Kurtin, Osmanin e Bislimin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi,  do të takohen  sot me ministrin çek, Martin Dvorak,  i cili do të vijë për vizitë në Kosovë.

Njoftimin fillimisht e ka dhënë Presidenca e Kosovës, derisa ka bërë të ditur për kohën.

“Në orën 09:15, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák”, thuhet në njoftim.

Edhe kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësministri Besnik Bislimi, do të takohen me të në orën 10:30.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpresin në takime bilaterale Ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak”, thuhet në njoftim.

Më pas Bislimi dhe Dvorak do të mbajnë një takim bilateral në orën 11:00.

Si përfundim, në orën 11:30 zëvendëskryeministri Bislimi dhe Ministri për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak, mbajnë konferencë për media.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat