Nënshkrimet e peticionit për shkarkimin e kryetarit të komunës së Zveçanit, do t’i dorëzohen nesër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Këtë e ka bërë të ditur kryesuesja e Kuvendit Komunal, Selvete Kelmendi.
“Peticionin me nënshkrimeve do ta dorëzojmë nesër në KQZ”, ka thënë shkurt ajo.
Kelmendi ka bërë të ditur se në këtë komunë për shkarkimin e kryetari janë mbledhur 1834 nënshkrime.
“Grupi punues ma ka dorëzuar mua dje peticionin, ndërsa janë mbledhë 1834 nënshkrime”, ka thënë ajo.
Peticioni për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri ëhstë mbajtur në në bazë të Udhëzimit Administrativ që Qeveria e Kosovës e miratoi shtatorin e vitit të kaluar për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në komunat në veri, pasi serbët lokalë nuk po i pranojnë kryetarët shqiptarë.
Serbët kishin bojkotuar zgjedhjet e prillit të kaluar, në të cilat u zgjodhën kryetarët e rinj shqiptarë. Nisja e mandatit të tyre në fund të majit, rriti tensionet në veriun e Kosovës.
Më pas, komuniteti ndërkombëtar kërkoi shtensionimin e tensioneve dhe bëri thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Nëse KQZ-ja konfirmon se peticioni ka qenë i suksesshëm, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarëve. Ky votim duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohen 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Më pas, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat nga 30 deri në 45 ditë që të shpallë zgjedhjet e parakohshme.