Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se peticioni për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore është antikushtetues dhe i dëmshëm për vendin.
Ai, tha se kryetarët atje u zgjodhën në mënyrë legale dhe se zgjidhja më e mirë ka qenë dorëheqja dhe jo shkarkimi përmes peticionit.
“Qëndrimi i të dy kryetarëve tanë është që të japin dorëheqje me koordinim, që të mos vihet në pozitë që të shkarkohen edhe pse u zgjodhën në mënyrë legale. Peticioni është mënyrë e gabuar, mendoj që nuk është në pajtim me Kushtetutën. Kemi pasur zgjedhje legale, është tjetër që ata e kanë bojkotuar.
Ata kanë ardhur në proces legal, mendoj që është e turpshme të shkarkohen me peticion nga ata që e bojkotuan fillimisht procesin… Është deligjitimim i institucioneve të Kosovës, është gabim qasja që janë nënshtrua faktorit ndërkombëtar, ashtu siç ka qenë gabim njëlloj tendence e Qeverisë t’i vendosë kryetarët në objektet e komunës”, tha ai.
Ai tha se shkarkimi i kryetarëve përmes peticionit dërgon mesazh të rrezikshëm për të ardhmen.