​Bislimi tregon a ka datë për heqjen e masave nga BE-ja, ka këtë thirrje për deputetët lidhur me Banjskën

Aktuale

​Bislimi tregon a ka datë për heqjen e masave nga BE-ja, ka këtë thirrje për deputetët lidhur me Banjskën

Nga: Bota sot Më: 26 janar 2024 Në ora: 08:23 Përditësuar në ora: 12:07 më 26.01.2024
Besnik Bislimi

Bislimi, deputetes së AAK-së: Radojçiqi ka qëndruar vazhdimisht në zyrën e Haradinajt

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është përplasur me deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj lidhur me bashkëpunimin me terroristin serb, Milan Radojçiq.

Bislimi tha se si rezultat i koordinimit të tyre me Radojçiqin ai gjendet në Kopaonik në Serbi, e jo si në kohën kur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj që e priste atë në zyre.

“Si rezultat i këtij koordinimi të shkëlqyer që ne kemi me Radojçiqin ai është në Kopaonik dhe i rrezikuar nga institucionet ndërkombëtare. Si rezultat i moskoordinimit edhe qasjes së pakoordinueshme që keni pasur ju ai ka qëndruar vazhdimisht në Zyrën e Kryeministrit Haradinaj”, ka thënë ai.

Ndaj kësaj deklarate reagoi, deputetja Kadrijaj e cila tha se Radojçiq ka qenë në zyrën e ish-kryeministrit Haradinaj në cilësinë e një subjekti politik.

“Radojçiqi kur ka qenë në zyre tek Ramushi ka qenë në cilësinë e një subjekti politik. Ju keni koordinuar me të në kohën kur ka qenë i kërkuar nga organet e drejtësisë dhe në kohën që ka qenë në listën e zezë të SHBA-së”, ka thënë ajo.

Në debat u përfshi edhe deputeti i VV-së, Agon Batusha. Ai tha se në kohën sa Haradinaj ka qenë kryeministër, Radojçiq është sjellë me armë në Gjakovë.

Madje për këtë gjë ai tha se ka edhe video.

“Radojçiq në kohën sa ka qenë Ramushi kryeministër ka ardhur dhe është sjellë me armë në Gjakovë e tash është maleve atje. Ka pasur video të Radojçiqit në park atje në Gjakovë”, ka thënë ai.

A ka merita Gani Jakupi që Spanja ia njohu pasaportën Kosovës? – Kadrijaj e pyet Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është duke raportuar para deputetëve të Komisioni për Intergime Evropiane. Aty zëvendëskryeministri pranoi një pyetje nga deputetja e AAK-së, Time Kadrirja për Gani Jakupin.

Deputetja ka kërkuar të di nga zëvendëskryeministri nëse me të vërtetë Gani Jakupi i cili paguhet nga buxheti i Kosovës 7 mijë e 500 euro, ka merita që Spanja njohu pasaportat e Kosovës.

“..Ndërsa folet edhe për rezultate që Spanja i ka njoftë pasaportat e Kosovës, a është rezultat i super Gani Jakupit, këshilltarit që paguhet 7 mijë e 500 euro sepse është prolognu edhe kjo si sukses dhe a keni edhe këshilltarë të tjerë që i paguani në shifra të tilla, me paga solide që me pas edhe ndonjë njohje të re, se nëse paguhet një këshilltar 7 mijë e 500 euro duhet me i listu rezultatet e një këshilltari të tij…“, pyeti Kadrijaj, Bislimi.

Ndërkohë, Bislimi ia ktheu se nuk pasi që Jakupi nuk është këshilltar i tij, nuk mund t’i kthejë përgjigje, madje u shpreh se këshilltari e ka detyrë ti raportojë vetëm eprorit të tij, pra Ganiu, Gërvallës.

“Për këshilltarët ju kisha lutë…Kaltrina Zeka është këshilltare e imja për punën që ajo bën, më raporton vetëm mua, jo juve. Dmth këshilltarët e mi më raportojnë vetëm mua. këtë detyrë e kanë, edhe nuk muj me kërku unë raportim se çka bën këshilltari i zëvendëskryeministres… ju po më thoni çka ka bë Gani Jakupi duheni me raportu, nuk është këshilltar i juvi Gani Jakpi është i zëvendëskryeministres Gërvalla, i raporton asaj“, i tha Bislimi.

Time Kadrijaj theksoi sërish faktin që Jakupi paguhet nga buxheti i Kosovës, dhe se duhet të dihen rezultatet që ai i sjell vendit, nëse ka të tilla.

Nëse paguhet 7.500 euro prej buxhetit të Kosovës duhet me ditë cilat janë rezultatet se punës së tij“, theksoi deputetja.

Bislimi: I kemi dërguar BE-së raport 48 faqesh për Banjskën, prokuroria ta bëjë publik

Zëvendëskryeministri i vendit për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se Kosova i ka dërguar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtar një raport prej 48 faqeve për agresionin në Banjskë.

Por, sipas Bislimit, raportin duhet ta publikojë prokurori dhe jo qeveria, teksa i kërkoi ndihmë anëtarëve të Komisionit për Integrim nga radhët e opozitës që të bëjnë presion publik mbi prokurorinë që ta bëjë publik raportin.

Ne po bëjmë presion publik. Bëni edhe ju presion që le të publikohet raporti. Ndihmona që prokuroria ta publikojë raportin, ta nxjerr fletarrestin për Radoiçiqin dhe kriminelët e tjerë, ndihmona në këtë drejtim”, tha Bislimi.

Më tej, ai tha se sa herë sillet Radoiçiqi i lirë rreth veriut dhe sa herë Serbia nëpër kampet e saj përgatitë dhe trajon të rinj nga Kosova, rreziku i sigurisë do të jetë permanent.

Bislimi kërkon nga deputetët që t’i bëjnë presion Prokurorisë për publikimin e raportit për Banjskën

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane tha kanë dërguar një raport 48 faqësh në BE, në secilin shtet anëtar të BE-së dhe në të gjitha ambasadat në Bruksel lidhur me rastin e sulmit terrorist të Serbisë në Banjskë.

Bislimi pati kritika edhe për prokurorinë që nuk po e publikon raportin për sulmin në Banjskë.

Madje Bisilimi u bëri thirrje edhe deputetëve që t’i bëjnë presion prokurorisë që ky raport të publikohet.

“Ne i kemi dërguar raport 48 faqesh për Banjskën, BE-së edhe secilit shtet anëtar, edhe secilës ambasadë në Bruksel. 48 faqe. Por raportin për me e publiku duhet me bë prokurori. Prokurori nuk është Qeveri. Ne po bëjmë presion publik që të publikohet raporti. Bëni edhe ju e ndihmona që Prokuroria ta bëjë raportin, ta nxjerrë fletarrestin për Radojçiqin dhe të gjendjen kriminelët e tjerë. Ndihmona në këtë drejtim, që Radojçiqi të mos sillet i lirë rreth veriut. Sa herë që ai sillet i lirë dhe Serbia dhe kampet ushtarake të saj, përgatit dhe trajnon të rinj nga Kosova, rreziku i sigurisë do të jetë permanent, prandaj ndihmona që edhe prokuroria të veprojë”, ka thënë Bislimi.

Bislimi thotë se s’ka datë kur mund të hiqen masat ndaj Kosovës

Zëvendëskryeministri Besnik Bisilimi është deklaruar sot për sa i përket heqjes së masave nga Bashkimi Evropian. Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane tha se nuk ka ende vendim për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës që janë vendosur majin e vitit të kaluar ndaj Kosovës. Kjo sipas Bislimin nuk po ndodhë pavarësisht se Kosova ka zbatuar pikat e planit katërpikësh.

Bisilmi foli edhe për rrethanat që shkaktuan vendosjen e këtyre masave ndaj Kosovës.

“Masat janë vendosur në fund të majit, nga Komisioni Evropian dhe janë rezultat i eskalimit që ka ndodhur në veri të Kosovës me datën 26 maj të vitit të kaluar kur protestuesit serbë kanë sulmuar KFOR-in, gazetarët dhe qytetarët tanë. Ka ekzistuar një bindje që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë për de-eskalimin e  situatës. Në letrën që na është dërguar për vendosjen e këtyre masave thuhet që masat janë të përkohshme, janë të kthyeshme dhe të bazuara në një proces kredibil të de-eskalimit të situatës në veri”, ka thënë ai.

Tutje ai foli edhe për takimin me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e ku u vendos për planin katërpikësh, zbatimi i të cilit çon në largimin e këtyre masave.

Bislimi tha se Kosova i ka përmbushur obligimet e saj siç janë paraparë me këtë dokument.

“Pas kësaj ne kemi pasur një takim në Bratisllavë ku kemi diskutuar me z.Lajçak lidhur me atë se çfarë nënkuptojnë masat që do të çojnë në de-eskalim të situatës dhe rrjedhimisht edhe në largimin e masave ndëshkuese të BE-së dhe kemi ndërtu një dokument katërpalësh që ka të bëjë me prezencën e policisë rreth objekteve komunale, vlerësimi  i situatës së riskut atje, miratimin e udhëzimit administrativ nga MAPL rreth opsioneve se si mund të shkarkohet kryetari në një komunë në Kosovë, dhe ne i kemi përmbushur obligimet e tona që qëndrojnë në këtë dokument”, tha tutje ai.

Ndër të tjera zëvendëskryeministri deklaroi se nuk e dinë ende se kur BE-ja do t’i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Ai tha se ka frustrim nga disa vende anëtare të BE-së lidhur me mos heqjen e këtyre masave.

“Me gjasë ka pakënaqësi në mes të vendeve anëtare se cili është mekanizmi për largimin e masave, por ka presion dhe frustrim edhe brenda vendeve anëtare se si ka mundësi që Kosova është nën masa vetëm pse ka dërguar katër kryetar të komunave në zyre që i kanë fituar përmes zgjedhjeve të lira, ndërsa Serbia nuk ka masa pavarësisht agresionit terrorist që ka bërë në Banjskë. Pra ka një qasje tërësisht të pabalancuar të BE-së dhe një qasje që e ka dëmtuar vendin tonë”, tha ai.

Bislimi: Këtë vit prioritet pranimi i pyetësorit nga Komisioni Evropian

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi në raportimin e tij para Komisionit për integrime evropiane i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’ia largojë masat ndëshkuese Kosovës, pasi sipas tij, Kosova ka përmbushur kërkesat bazë dhe situata është e qetë.

Ai para deputetëve tha se me heqjen e masave fokusi do të kthehej në avancimin e integrimit evropian të Kosovës.

Zëvendëskryeministri bëri të ditur se të hënën kanë dorëzuar në Bashkimin Evropian listën e reformave pas Plani të rritjes së Bashkimit Evropian, ku synohet avancimi i reformave në administratën publike, digjitalizimi etj.

Bislimi po ashtu njoftoi se synim për këtë vit është pranimi i pyetësorit nga Komisioni Evropian.

“Synim për këtë është pranim i pyetësorit nga Komisioni Evropian në mënyrë që të dëshmojnë se Kosova meriton statusin e vendit kandidat dhe në këtë mënyrë të vazhdojmë me hapa konkret drejt anëtarësimit…”, tha ai.

Bislimi po ashtu ka folur për udhëtimin e lirë të qytetarëve të Kosovës pas liberalizimit të vizave, gjersa tha se po e përcjellin dhe gjithçka po shkon në rregull.

Ai po ashtu përmendi njohjen e pasaportave nga Spanja gjersa shtoi se Pakoja e Zgjerimit e BE-së e kthen shpresën se Ballkani Perëndimor sërish po kthehet në vëmendje.

Sipas tij, Plani i rritjes i BE është veprim i duhur dhe sipas tij BE duhet të zgjerohet dhe reformohet.

I dyti i ekzekutivit po ashtu tha se mbështesin qasjen që kushtëzon fondet e BE-së me pranimin e vlerave të BE-së.

Ai tha se me këtë Kosova përfiton 950 milionë euro brenda katër viteve, me grante dhe kredi.

​Bislimi sot raporton në Komisionin për Integrime Evropiane

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, sot do të raportojë në Komisionin për Integrime Evropiane.

Bislimi do të raportojë nga ora 10:00.

Raportimi do të mbahet në një sallë të Kuvendit të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat