Bislimi: BE-ja t’i trajtojë njëjtë Kosovën dhe Serbinë në rrugën drejt integrimit

Aktuale

Bislimi: BE-ja t’i trajtojë njëjtë Kosovën dhe Serbinë në rrugën drejt integrimit

Më: 26 janar 2024 Në ora: 11:41
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të premten se Kosova është duke kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta trajtojë ashtu sikurse Serbinë, në synimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai i ka bërë këto deklarata në Komisionin e Kuvendit të Kosovës për Integrime Evropiane.

Përgjatë paraqitjes së tij, Bislimi është pyetur pse Kosova po kërkon që procesi i dialogut me Serbinë – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian - të ndahet prej procesit për integrimin e Kosovës në bllokun evropian.

“Dialogu është lidhur me integrimin evropian në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Dialogu është pjesa kryesore në kapitujt e marrëveshjes, rrjedhimisht progresi ka qenë i lidhur me këtë. Ajo që ne kemi thënë është që trajtimi i lidhmërisë mes progresit në dialog, dhe progresit në rrugën drejt BE-së, duhet të jetë i njëtrajtshëm si rreth Kosovës, ashtu edhe Serbisë”.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, në dhjetor të vitit 2022, dhe tani ka vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi (MSA) me BE-në.

Sipas tij, Serbisë i është mundësuar që të ecë paralelisht me të dyja proceset, ndërsa te rasti i Kosovës është thënë që për progres drejt integrimit, duhet të ketë progres në dialog.

Si ilustrim, ai ka thënë se nëse për finalizimin e procesit të integrimit për Serbinë mund të duhen pesë vjet, për Kosovën ajo kohë do të zgjatet në 10.

Bislimi ka thënë se e kupton pse BE-ja insiston që vendet që synojnë bllokun duhet t’i kenë të zgjidhura të gjitha mospajtimet bilaterale, mirëpo “anëtarësimi është diçka tjetër”.

Më 6 dhjetor të vitit të kaluar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pati paralajmëruar se ka mundësi që Marrëveshja e Ohrit mund të bëhet pjesë e negociatave të Kapitullit 35 me Bashkimin Evropian, dhe kusht për anëtarësimin e Serbisë në këtë bllok.

Në kapitullin e 35-të, për pranim të Serbisë në BE-së, përfshihen edhe marrëdhëniet e këtij shteti me Kosovën.

Marrëveshja e Ohrit – e arritur mes dy vendeve në mars të vitit të kaluar - parasheh që Serbia t’i njohë simbolet shtetërore të Kosovës, nuk e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe palët e respektojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të njëra-tjetrës.

Disa burime të Radios Evropa e Lirë patën thënë në dhjetor se disa shtete anëtare të BE-së do të propozojnë që në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në bllok të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe të gjitha obligimet nga marrëveshjet e kaluara në kuadër të dialogut.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat