Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër sulmin ndaj kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Leposaviqit, Gorski Guriq.
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në orët e hershme të mëngjesit është djegur vetura e Guriq.
“Ky sulm ndaj Guriq dëshmon se Serbia nuk ka ndryshuar qasjen dhe sulmet e saj kriminale ndaj qytetarëve serb që janë lojal ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Ky akt është në vazhdën e djegieve të njëpasnjëshme të veturave të qytetarëve serb që bashkëpunojnë apo angazhohen në institucionet e Republikës sonë”, thuhet në reagim.
MPB thotë se sulmet e tilla të Serbisë që targetojnë qytetarët serb që angazhohen në institucionet tona, synojnë që të krijojnë pasiguri tek qytetarët tanë dhe të përcjellin edhe mesazhin e fatit të atyre që duan të angazhohen në institucionet tona.
“Ftojmë Policinë e Kosovës për angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti dhe sjelljen e kryesve para drejtësisë. Institucionet tona do të vazhdojnë të jenë të hapura për angazhim dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim”, përfundon reagimi i MPB-së.