Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe njëherësh deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Xhavit Haliti, ka folur lidhur me vizitën e emisarit Miroslav Lajçak në Kosovë dhe Serbi.
Haliti konsideron se vizita e Lajçakut ka për qëllim shtyrjen përpara të integrimit të papenguar për në BE për të dyja palët.
“Vizitat e të ngarkuarit e BE për ndërmjetësim në mes të Kosovës e Serbisë, është në vazhdën e diplomacisë fluturuese e cila po ndodhë tani e ka ndodhur edhe gjatë e pas luftës. Besoj që qëllimi i BE është eliminimi i pengesave të dy anshme Kosovë-Serbi , me qëllim që të dyja palëve t’iu hapet rruga për integrim të papenguar dhe të papengueshëm nga të dyja palët në BE”, ka thënë Haliti.
Sipas tij, BE-ja po luan me karotën pa e përdorur shkopin anipse ndaj Kosovës siç thotë ai e përdori thuprën qortuese duke aluduar në sanksionet e vendosura.
“Dmth që BE akoma po luan me Karotën pa e përdorë shkopin, edhepse kundër qeverisë së Kurtit përdori thuprën qortuese. Asociacioni është bërë pengesa kryesore sa i takon zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara e të zotuara për zbatimin e tyre”, ka thënë deputeti Haliti.