Gjykata dënon Pal Lekajn për rastin e 53 milionëshit, mbrojtja paralajmëron apelimin e vendimit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, në lidhje me rastin e pagesës prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte paguar “Bechtel-Enkës”, për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, duke i dënuar së bashku me dhjetë vjet e shtatë muaj burgim.
Ish ministri i Infrastrukturës, njëherësh deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, u dënua me tre vjet e tetë muaj burgim efektiv, ish këshilltari i lartë politik i tij, Eset Berisha, u dënua po ashtu me tre vjet e tre muaj burgim, ndërkaq, Nebih Shatri në cilësinë e ish sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri u dënua me 1 vit e tetë muaj, kurse Besim Tahiri, si drejtor i prokurimit publik në MI u dënua me 1 vit e tetë muaj burgim. Të njëjtëve po ashtu iu shqiptua dënim plotësues për ndalim të ushtrimit të funksionit publik në Administratën Publike dhe shërbime publike. Dënimi ndaj të akuzuarve do të ekzekutohet pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Në shpalljen e aktgjykimit, gjyqtarja Violeta Namani, tha se të akuzuarit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në bashkëkryerje.
Namani: Të akuzuarit Pal Lekaj i shqiptohet dënim me burg në kohëzgjatje prej tre vjet e tetë muaj
“Të akuzuarit Pal Lekaj i shqipton dënim me burg në kohëzgjatje prej tre vjet e tetë muaj. Ky dënim do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi do të bëhet i formës së prerë. Po ashtu të akuzuarit Pal Lekaj i shqipton dënim plotësues, konform nenit 65, në kohëzgjatje prej tre vjet e gjashtë muaj, ndalimin e ushtrimit të funksionit publik në Administratë Publike. Të pandehurit Nebi Shatri i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e tetë muaj, i cili po ashtu do të ekzekutohet në momentin kur bëhet i formës së prerë. Po ashtu të pandehurit Nebih Shatri i shqipton dënim plotësues në kohëzgjatje prej dy vite, ndalim i funksionit në Administratën Publike dhe shërbime publike. Të pandehurit Besim Tahiri, i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e tetë muaj. Po ashtu i shqipton edhe dënim plotësues në kohëzgjatje prej dy vite ndalim i ushtrimit të funksionit në Administratë Publike. Të pandehurit Eset Berisha i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet e tre muaj, i cili dënim do të ekzekutohet kur aktgjykimi do të bëhet i formës së prerë. Po ashtu të pandehurit, Eset Berisha i shqipton dënim plotësues për ndalimin e ushtrimit të funksionit në Administratë Publike në kohëzgjatje në tri vite”, tha ajo.
Duke elaboruar aktgjykimin, gjyqtarja Namani tha se të akuzuarit me dashje dhe paramendim kanë tejkaluar kompetencat zyrtare, duke bërë pagesë të pabazuar shtesë prej 38 milionë euro, në dobi të kompanisë Bechtel-Enka
Namani: Të akuzuarit me dashje dhe paramendim kanë tejkaluar kompetencat zyrtare:
“Gjykata vlerëson se në të gjithë rastin komplet ka gjetur se të akuzuarit me dashje dhe me paramendim duke tejkaluar kompetencat zyrtare duke mos marrë opinionin e kompanisë mbikëqyrëse Hill, atëherë kanë bërë pagesën të pabazuar shtesë prej 38 milionë euro në dobi të kompanisë Bechtel-Enka me ç’rast i kanë shkaktuar dëm jashtëzakonisht të konsiderueshëm buxhetit të Republikës së Kosovës. Andaj duke u bazuar në të gjitha provat e administruara gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, Gjykata i shpalli të akuzuarit fajtor sot dhe i dënoi sipas ligjit”, theksoi gjyqtarja Namani.
Në anën tjetër, pas përfundimit të seancës, mbrojtja e të akuzuarve e konsideruan skandaloz këtë vendim, derisa bënë të ditur se do të apelojnë në shkallën e dytë.
Musa Damati, avokat i ish ministrit Pal Lekaj, u shpreh i bindur se shkalla e dytë do të ndryshojë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Damati: Ky vendim është skandaloz
“Vendimi i sotshëm është skandaloz dhe i njëjti do të apelohet për në gjykatën e shkallës së dytë, për arsye se provat gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor kanë qenë të panumërta në drejtim të sqarimit të kronologjisë dhe implikimeve buxhetore që ka pasur ky projekt kapital për vendin. Ky është një projekt i cili ka filluar para shumë kohë se klienti im, ish ministri i Infrastrukturës të pranoi detyrën. Ky është një projekt i cili që nga fillimi është krijuar me vonesa dhe implikime buxhetore”, deklaroi ai.
Po ashtu edhe Afrim Saliu, avokat i Eset Berishës, tha se ky vendim i sotshëm i jep të drejtën kompanisë Betchel Enka të iniciojë procedura ndaj Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit.
Saliu Është një vendim jo i pritur
“Është një vendim jo i pritur, një vendim që nuk konsiston as me kronologjinë e komplet drejtimit të këtij procesi maratonik. Vendimet që janë marrë nga anëtarët e Këshillit ndër-ministror kanë qenë unanime dhe të gjithë kanë votuar dhe kanë kaluar. Nuk është vendim i mirëpritur nga ana e mbrojtjes dhe natyrisht se edhe ne do të apelojmë në shkallën e dytë dhe kemi material...Ky vendim i sotshëm definitivisht i hap të drejtën Bechtel Enkës që ajo të inicoi procedura në Gjykatën e Arbitrazhit”, theksoi avokati Saliu.
Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltarit të tij politik Eset Berisha dhe Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka” e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”