Ndalimi i dinarit serb, Ukaj: ATK dhe Dogana duhet të marrin masa në teren

Aktuale

Ndalimi i dinarit serb, Ukaj: ATK dhe Dogana duhet të marrin masa në teren

Më: 31 janar 2024 Në ora: 18:52
Fidan Ukaj

Analisti politik, Fidan Ukaj, thotë se pasi të hyjë në fuqi më 1 shkurt përdorimi i dinarit serb në Kosovë, Administrata Tatimore dhe Dogana, duhet të dalin patjetër në teren, kështu duke marrë masa për çdo parregullsi.

Edhe pse e cilësoi si vendim të drejtë ndalimin e qarkullimit të dinarit, Ukaj tha se Kosova në çdo rrethanë duhet të jetë dëgjuese e faktorit ndërkombëtar.

“Kosova duhet të jetë edhe dëgjuese e faktorit ndërkombëtar, më saktësisht aleatit tanë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përderisa ndalohet dinari, aktivizohen edhe mekanizmat që duhet të dalin në teren, si dogana, e Administrata Tatimore. Në momentin që nga data 1 ndalohet në qarkullim, ata e kanë obligim të dalin në teren dhe nëse eventualisht hasin në dinar, duhet të marrin masa. Është i drejtë ndalimi në qarkullim i dinarit, mirëpo është dashur të ketë një afat nga thirrja e ShBA-së”, potencoi Ukaj.

Madje sipas tij, Serbia synon që me zhvendosjen e kësaj problematike në procesin dialogues, dinari të ofrohet si alternativë, e pastaj të kërkohet të jetë valutë e dytë zyrtare në territorin e Kosovës.

Kujtojmë se më 1 shkurt hyn në fuqi vendimi për ndalimin e dinarit serb në Kosovë.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës javë më parë ka miratuar Rregulloren për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila thekson se e vetmja valutë e vetme e vlefshme të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar të pagesave në Kosovë është euro dhe me këtë nga 1 shkurti ndalohet dinari serb.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat