Pas takimit me Osmanin e Kurtin, ministri gjerman pritet me ceremoni zyrtare nga Maqedonci, shkëmbejnë edhe dhurata

Aktuale

Pas takimit me Osmanin e Kurtin, ministri gjerman pritet me ceremoni zyrtare nga Maqedonci, shkëmbejnë edhe dhurata

Më: 5 shkurt 2024 Në ora: 07:36 Përditësuar në ora: 14:10 më 05.02.2024
Foto nga takimi

Maqedonci pret me ceremoni zyrtare homologun e tij gjerman

Pas takimit me presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe më pas me kryeministrin Albin Kurti, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius është pritur me ceremoni zyrtare nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ceremonia zyrtare e pritjes, e shoqëruar me togun ceremonial të FSK-së, është zhvilluar në objektin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë takimit, Maqedonci dhe Pistorius kanë shkëmbyer dhurata me njëri-tjetrin.

Pas përfundimit të takimeve të planifikuara në Ministri të Mbrojtjes, Maqedonci e Pistorius do të vizitojnë Qendrën Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit (QNKTSH), në Pomozatin, duke filluar nga ora 15:00.

Me këtë rast, të dy ministrat e mbrojtjes do të shohin për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të kësaj Qendre.

Kryeministri Kurti pret në takim ministrin gjerman të Mbrojtjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën në takim Ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorius.

Ministrin Pistorius pas takimit me Kurtin do të zhvilloj takim edhe me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, ka thënë se ky shtet është i përkushtuar që në Kosovë dhe vendet e rajonit të ketë siguri dhe stabilitet, dhe këto siç ka thënë ai janë edhe sinjale për Moskën.

Ai ka thënë se NATO ka kontribuar në Kosovë për ta parë atë stabile dhe jo të kundërtën.

“Marrë parasysh edhe interesat e Rusisë ndaj Serbisë dhe Rajonit, këtu nuk ka ndryshuar shumë, prandaj është e rëndësishme që të japim sinjale të qarta, dhe të bëjmë të qartë, që ne jemi për sigurinë dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit dhe këto do të ishin sinjale të cilat duam t’ia dërgojmë edhe Moskës. Këto i themi për të siguruar Ballkanin Perëndimor dhe të ndihmojmë atë pasi e kemi obligim, ka thënë ai në konferencën e përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Prishtinë.

Ministri gjerman mesazh Serbisë: Kush e do anëtarësimin në BE s’mund të hajë me dy lugë

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i ka dhënë mesazh të gjitha vendeve që dëshirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, në veçanti Serbisë.

Ai në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk ka mundësi edhe të hysh në BE edhe të bashkëpunosh me Rusinë.

Sipas tij duhet zgjedhur njëri opsion e jo “të hahet me dy lugë”.

“Interesat e Rusisë ndaj Serbisë dhe rajonit nuk kanë ndryshuar shumë, duhet të japim sinjale të qarta se jemi për sigurinë dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit dhe i japim mbështetjen. Këto sinjale duhet t’ia japim edhe Moskës. Duam ta ndihmojmë Ballkanin Perëndimor. Serbia duhet të anëtarësohet në BE po ashtu edhe Kosova…. Ky duhet të jetë qëllimi ynë dhe secili vend tjetër që do ta arrijë këtë ti bashkohet 27 vendeve të BE-së që kanë qëllime të përbashkëta në evropë dhe botë, secili që e do këtë nuk mund ta hajë me dy lugë. Secili vend duhet t’i mbushë disa kushte, do të maten edhe në bazë të suksesit që e arrijnë”, tha ai.

​Osmani: Hetimet zyrtare për sulmin terrorist në Banjskë dëshmojnë se Serbia është prapa tyre

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se hetimet zyrtare për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë dëshmojnë se Serbia është prapa tyre.

Osmani, pas takimit me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se për t'i parandaluar këto sulme në të ardhmen nevojitet përkrahja e Gjermanisë.

Ajo akuzoi Serbinë se po vazhdon të mbështesë grupet paraushtarake për të planifikuar sulmet e reja.

Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, nënvizoi nevojën për maturi dhe kujdes që mos të nxiten tensione të reja në veri.

Ai tha se Kosova ka të drejtë për të zbatuar ligjshmërinë e saj në vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit serb, por shtoi se nevojitet kohë për informim.

"KFOR është garantues për stabilitet dhe siguri. Stabiliteti i Kosovës dhe rajonit është i një rëndësi të veçantë për ne", theksoi ai.

Ministri gjerman: Askush nuk duhet të ketë interes për tensionim të mëtejmë të situatës

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius ka thënë se  Gjermania pas SHBA-së është njëra nga mbështetëset më të mëdha të Kosovës, dhe kështu do të vazhdoj të jetë edhe në të ardhmen.

Pas takimit që pati me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, Pistorius kërkoi që të shmangen tensionet dhe kërkoi de-esklaim të situatës.

“Kërkesa e ditës është deskalimi. E ardhmja e Ballkanit është në Evropë, dhe kjo parasheh si parakusht dialogun.  Askush nuk mund dhe nuk duhet të ketë një interes në tensionimin e mëtejmë të situatës. Marrë parasysh tensionet aktuale me Serbinë dhe pakicën serbe në Kosovë bëjmë thirrje të qartë për maturi dhe kujdes”, tha ministri gjerman.

Ai shtoi se KFOR-i mbetet si garantues për stabilitet dhe siguri, do të vazhdoj të mbetet edhe më tej i pranishëm në Kosovë.

“Stabiliteti në Kosovë dhe në rajon është i rëndësishëm për ne”, tha Pistorius. 

Osmani flet pas takimi me ministrin gjerman

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius.

Pas takimi, Osmani dhe Pistorius mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Osmani para mediave deklaroi se Kosova vazhdon ta ketë partner kryesor Gjermaninë.

“Gjermani ka qëndruar pranë nesh jo vetëm në periudhë të rënda, por edhe në procesin e shtet ndërtimit, përderisa vazhdojmë ta forcojmë demokracinë dhe pozitën tonë ndërkombëtare. Gjermania ka rol kyç në sigurinë e Kosovës. Vendimi për rritjen e trupave ushtarake gjermane në Kosovë është reflektim i qartë i mbështetjes për popullin tonë”, ka thënë Osmani.

Presidentja po ashtu bëri të ditur se me ministrin gjerman kanë folur edhe për bashkëpunim ushtarak.

Gjithashtu, ajo theksoi se tani është koha që Kosova të jetë pjesë e NATO-s.

“Është koha që Kosova të jetë pjesë e NATO-s, politika shtetërore e Serbisë angazhohet për akte terroriste ndaj Kosovës, kemi nevojë për përkrahjen e Gjermanisë”, tha ajo,

Presidentja gjatë konferencës foli edhe për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunajku, derisa shprehu shqetësimin se Serbisë ende nuk i është shqiptuar asnjë masë nga Bashkimi Evropian.

Osmani pret në takim ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të hënën në takim Ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius.

Pas takimit, Osmani dhe Pistorius është paralajmëruar konferencë për medie.

Ministrin Pistorius do ta pres në takimi edhe kryeministri Albin Kurti, si dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Po ashtu pas dite, ministri Maqedonci, dhe ministri Pistorius, do të shohin për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit (QNKTSH).

​Ministri gjerman i Mbrojtjes sot në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, të hënën viziton Kosovën, ku do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci.

Pistorius gjatë kësaj vizite do të jetë i shoqëruar nga deputetët të Bundestagut dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Takimi me të parën e shtetit tonë do të mbahet në Presidencë duke filluar nga ora 11:00, pas të cilit do të mbahet edhe një konferencë për media. Ndërsa takimi me Kurtin do të mbahet duke filluar nga ora 12:30.

Ministri gjerman në Ministrinë e Mbrojtjes do të pritet me ceremoni zyrtare, e shoqëruar me togun ceremonial të FSK-së, nga ora 13:30.

Pas ceremonisë ushtarake, të dy ministrat e mbrojtjes dhe delegacionet përkatëse do të mbajnë takim bilateral.

Pas përfundimit të takimeve të planifikuara në Ministri të Mbrojtjes, agjenda ditore do të vazhdojë në Qendrën Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit (QNKTSH), në Pomozatin, duke filluar nga ora 15:00.

Me këtë rast, të dy ministrat e mbrojtjes do të shohin për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të kësaj Qendre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat