Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier ka kritikuar ashpër vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit.
Ai ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që ta shtyjë vendimin e Bankës Qendrore për çështjen e dinarit serb, në të kundërtën siç tha ai do të ketë ndikim në partneritetin në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
E ndaj këtyre deklarata të Hovenier, ka reaguar analisti nga Amerika, Ramazan Bekteshi, përcjell "Bota sot".
Së pari, ai tha se ka mendim pozitiv për ambasadorin amerikan, mirëpo reagimet e tij ndaj dinarit ishin të rrepta dhe këtë gjë nuk e kupton.
“Mendimi im personal për Amb. Hovenier është pozitiv. Nuk dyshoj, ai e do Kosovën. Pse reagimi i tij ndaj dinarit ishte i rreptë, nuk e di; pse ai ishte kaq emocional në reagimet e tij përsëri, nuk e kuptoj.
Diplomacia është një 'sport ekstrem' dhe kërkon shumë përgatitje, fizike dhe mendore. Por nëse një diplomat është i mbingarkuar, nuk ka pushime dhe kur ka shumë kthesa të papritura, rrëmbime, agresion paraushtarak dhe sulme ndaj KFOR-it, mund të ndodhë një reagim i tepruar, dhe ne jemi njerëz”, u shpreh Bekteshi në një shkrim në Facebook.
Krahas kësaj, ai bëri një dallim ndërmjet Hovenier-it dhe Hill-it, derisa tha se ky i fundit është i njëanshëm dhe “përkthel” Vuçiqin.
“Nuk i besoj spekulimeve se Amb. Hovenier i është bërë presion për të 'ekzekutuar' "Simfoninë" e Amb-Hill në Prishtinë për Kurtin; ndryshe nga Hovenier, Chris Hill është i njëanshëm dhe duke e përkdhelur Vuçiqin, ai dështoi në misionin e tij. Korrelacioni si "një prind me katër fëmijë" për mua është jashtë konteksti me ngjarjen”, shkroi ndër të tjera Ramazan Bekteshi, përcjell “Bota sot”.