Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, për herë të fundit kokë më kokë janë takuar në Bruksel më 14 shtator, 10 ditë para sulmit terrorist në Banjskë.
Përballjen e radhës, por në një ambient e format tjetër do ta kenë sonte nga ora 21:00, në sallën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kurti për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është nisur mbrëmë bashkë me zëvendësen e tij, Kryediplomaten, Donika Gërvalla-Schëarz.
Në seancën e jashtëzakonshme në New York, Serbia propagandon se kinse situata në Kosovë është në kontrast të fortë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244, e ku temë diskutimi do të jetë përjashtimit i përdorimit të dinarit nga Kosova e mbyllja e strukturave të saja paralele në vendin tonë.
Bujar Dugolli, profesor universitar, nga seanca thotë se përpos përplasjeve të palëve e thirrjeve që të vazhdojë dialogu e respektohen marrëveshjet e arritura, nuk mund të pritet diçka konkrete.
“Çka do të jetë e mirë është që anëtarët e Këshillit të Sigurimit të njofohen se marrëveshja e arriur vin e kaluar në Bruksel dhe aneksi i Ohrit po sfidohen nga Serbia për shkak se ka dërguar letër në BE se nuk i zbaton këto pika dhe mendoj se do të jetë një ri-konfirmim i anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që marrëveshjet e arritura do të zbatohen”, ka deklaruar Bujar Dugolli, Profesor.
Ish-diplomati, Anton Berisha tregohet edhe më kritik, teksa përveç pjesëmarrjes së Kurtit në të, e cilëson auto-gol faktin që për dinarin do të diskutohet në këtë nivel.
“Definitivisht po, dhe i vetmi qëllim i Kurtit është pikërisht agjenda e tij politike partiake për mbajtjen e pushtetit përmes këtyre ekseseve dhe ky është dështimi i shoqërisë kosovare që bie pre e këtyre lojërave të ulëta të cilat e dobësojnë pozicionin jo vetëm pozicionin por edhe respektin që kanë pasur ndaj Kosovës”, ka theksuar Anton Berisha, Ish-zëvendësministër i Jashtëm.
Seanca në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u kërkua nga Serbia gjatë kësaj jave, duke i përmendur ndalimin e dinarit serb e mbylljen e institucioneve paralele në Kosovë, si shkaqet kryesore.