Ky është hetuesi i Policisë që u zu në flagrancë nga IPK duke i marrë një 1000 Euro ryshfet

Aktuale

Ky është hetuesi i Policisë që u zu në flagrancë nga IPK duke i marrë një 1000 Euro ryshfet

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 20:20
Ilustrim

Bekim Hyseni, hetuesi i Policisë së Kosovës është arrestuar sot nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Identitetin e tij e kanë konfirmuar burime të gazetës brenda autoriteteve të sigurisë.

Ai është kapur sot në flagrancë nga hetuesit e IPK-së duke i marrë një mijë euro ryshfet nga një qytetar, të cilit ia kishte kërkuar për të ia mbyllur një rast.

Arrestimin e tij e ka bërë të ditur përmes një komunikate edhe IPK.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Marrje ryshfeti”. Hetuesit e IPK-së kishin filluar kohë më parë hetimet për këtë rast me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin e Krimeve të Rënda. Pas disa veprimeve hetimore duke përfshirë edhe hetimin me masa të fshehta hetimore, sot rreth orës 17:00 nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Obiliq zyrtari policor (hetues në Stacionin Policor në Obiliq)”, thuhet në  njoftimin e IPK-së.

Sipas tyre, nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Bazuar në veprimet hetimore që hetuesit e IPK-së kanë realizuar deri më tani, dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1000 Euro për të interferuar në hetimet e një rasti penal. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.”, thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat