Kurti ia përmend sulmet terroriste Vuҫiqit, i kërkon ta nënshkruajë Marrëveshjen në OKB; ky është reagimi i SHBA-së

Aktuale

Kurti ia përmend sulmet terroriste Vuҫiqit, i kërkon ta nënshkruajë Marrëveshjen në OKB; ky është reagimi i SHBA-së

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 21:13 Përditësuar në ora: 00:24 më 09.02.2024
Albin Kurti

“Kosova, projekt i përkohshëm”, përfaqësuesi rus citon deklaratën e Liburn Aliut në fjalën e tij në OKB-së

Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy, në fjalën e tij në KS të OKB-së e ka cituar një deklaratë të Liburn Aliut, ministrit të Infrastrukturës.

Ky i fundit kishte thënë se për të Kosova është proces kalimtar drejt bashkimit me Shqipërinë.

“E konfirmoj që për mua Kosova, në rrethanën në të cilën është, me Kushtetutë e këto gjëra, është projekt i përkohshëm. Është proces kalimtar drejt bashkimit me Shqipëri. Sqarimet më tej i bëjmë bashkë kur të kthehem në Kosovë”, kishte thënë Aliu.

Saktësisht kjo deklaratë e Aliut është cituar nga përfaqësuesi rus.

Ai tha se shqiptarët e Kosovës, e thonë këtë haptazi.

“Inspiruar nga Washingtoni, shqiptarët e Kosovës sot haptazi thonë se Kosova siç ekziston sot, është vetëm, citoj, një projekt i përkohshëm drejt baskimit me Shiqipërinë, mbyll citatin”, ka thënë Polyanski.

Vuçiq tenton të flasë pas Kurtit në OKB, kryesuesja s’e lejon dhe përfundon mbledhjen

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq iu është mohuar që të flasë për të tretën herë gjatë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pavarësisht kërkesë së tij, kryesuesja e mbledhjes së sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së njoftoi që mbledhja do të pëfundojë dhe që atij nuk mund t’i jepet fjala përsëri.

Kryeministri Albin Kurti dhe president serb Aleksandar Vuçiq morën fjalën nga dy herë secili.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), është thirrur me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.Në këtë seancë, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Kujtojmë se, që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme.
Kjo rregullore parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euro, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Valutën kombëtare të Serbisë, serbët në Kosovë e kanë përdorur që nga përfundimi i luftës më 1999.

Po ashtu, Serbia ua paguan qytetarëve serbë të Kosovës, përmes një sistemi paralele, pagat, pensionet, ndihmat sociale dhe përfitimet e tjera.

Kurti në adresimin e dytë: 19 shtete e shpëtuan shtetin tim – ne nuk hakmerremi

Në adresimin e dytë para OKB-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli sërish për rregulloren e BQK-së, marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë, ndërhyrjen e NATO-s, si dhe për rrugën drejt normalizimit të raporteve midis dy shteteve.

Kurti e përsëriti se nuk është ndaluar dinari serb në Kosovë, duke shtuar se mbron interesat e Republikës së Kosovës dhe e ftoi Vuçiqin që t’i nënshkruajnë marrëveshjet.

“Unë jam kryeministër për shkak se Kosova është Republikë. I mbroj interesat e një republike demokratike. Të nënshkruajmë marrëveshjet. Jemi pajtuar për një tekst më 27 shkurt dhe aneksin në Ohër më 14 mars. Kemi marrëveshje, për ta zbatuar, duhet ta nënshkruajmë dhe t’i përmbahemi.”

Mes tjerash, kryeministri s’la pa e përmendur luftën në Kosovë dhe bombardimin e Serbisë, duke theksuar se ndonëse ka fantazi hakmarrëse, nuk do të ketë hakmarrje.

“Dëgjuam kritikën për ndërhyrjen e NATO-s, që shpëtuan shtetin tim. 19 shtete janë bërë bashkë për të bombarduar një shtet, Jugosllavinë e Millosheviqit. Por duhet të kesh qenë në vendin tim për të kuptuar se sa e rëndë ishte situata. Katastrofë humanitare. Në këto tablodiet serbe, në ballinat e tyre shohim fantazi të hakmarrjes të Kosovës ndaj Serbëve. Nuk do të hakmerremi. Dua drejtësi dhe drejtësia është vetëm kur nuk ka hakmarrja. Për të pasur paqe, kjo fantazi duhet të ndalet. Nuk do të hakmerremi. Nuk do të ketë hakmarrje.” – tha Kurti, i cili foli i fundit në këtë seancë.

Kurti: Qytetarët serbë mund t’i mbajnë dinarët, por pagesat bëhen vetëm me euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij përmbyllëse në seancën e Këshillit të Sigurimit në OKB, ka përsëritur qëndrimin se rregullorja e BQK-së nuk është kundër qytetarëve serbë.

Por, ai ka thënë se valuta e vetme e vlefshme për pagesë është euro.

“Dinari nuk është ndal në Kosovë, qytetarët serbë mund t’i mbajnë ato, por vetëm euro është mjet pagese. Kemi ndarë ndihma, subvencione dhe asnjë qytetarë serbë nuk i ka refuzuar ato”, tha Kurti.

Ai tha se nuk është kundër serbëve të Kosovës, sepse ka miq nga ta, duke theksuar se do të flas me serbët e Kosovës edhe në gjuhën serbe, që ata ta kuptojnë më mirë vendimin.

“Do të bëjë më shumë komunikim me qytetarët do të flas edhe në serbisht që të më kuptojnë më mirë, sepse ne qe kemi të shtypur e dimë serbishten”, tha Kurti.

Vuçiq për Banjskën: Integriteti i vetëm territorial që është shkelur është i Serbisë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë adresimit final para OKB-së, foli edhe për sulmin në Banjkës të Zveçanit, duke theksuar se Serbia ka nisur procesin e hetimit dhe pritet të ketë edhe aktakuza.

“Por, duhet ta kuptoni se integriteti i vetëm territorial që është shkelur është i Serbisë”, tha ai.

Lideri serb po ashtu kundërshtoi akuzat e Kurtit se Serbia mbështet aktivitete kriminale dhe pastrim parash përmes dërgimit të dinarëve.

Ai tha se shembulli më i mirë është se dinarët në Kosovë transportohen nga një kompani britanike, e quajtur “Henderson”. Sipas tij, kjo kompani dërgon para në Kosovë për pensionet, rrogat dhe ndihmat e tjera.

Kurti përmend rastin e Sanduloviqit: U rrahë derisa u paralizua…

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka përmendur rastin e rrahjes brutale të liderit opozitar serb, Nikola Sanduloviq.

Kurti theksoi se ai është rrahur për vdekje, me këtë ai tha se Serbia po vazhdon të kryejë akte kriminale.  

Sipas tij Vuçiqi po ua pamundëson jetën serbëve përmes torturave e rrahjeve.

“Serbia jo vetëm që promovon mohimin e gjenocidit, por vazhdon ta kryejë atë pasi që lideri opozitar, Nikola Sanduloviq kishte kërkuar falje për krimet e luftës të Serbisë në Kosovë dhe shtroi lule në varrin e një viktime 7 vjeçare, shërbimi sekret serb e arrestoi në janar të këtij viti, e rrahu deri në humbje të vetëdijes derisa e paralizoi”, ka thënë Kurti.

Ai përmendi edhe rastin e gazetari serb i cili ka bërë me dije se planifikon të kthehet në Kosovës, për shkak regjimit të Vuçiqit.

“Në ndërkohë gazetari serb Radomar Dimiq që ka banuar në Serbi publikisht ai ka deklaruar se planifikon të kthehet në Kosovë sepse regjimi autoritar i Vuciqit e ka bërë jetën të padurueshme për gazetarë atje dhe tash që po flasim ka arritur në Kosovë”, u shpreh ai.

Kryeministri përmendi edhe rastin e Banjskës, përmendi se një polic, Afrim Bunjaku u vra ndërsa dy të tjerë u lënduan.

Ai akuzoi direkt Vuçiqin për financim e mbështetje të këtij sulmi terrorist.

“Një rast i qartë ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar. Rreth 80 paramilitarë të mbështetur nga Serbia filluan një sulm të paprovokuar ndaj patrullës policore në Kosovë duke rezultuar me vdekjen e policit Afrim Bunjaku dhe lëndimin e dy të tjerëve. Përkundër përpjekjes terroriste duke përdorur edhe pelegrinët e pafajshëm si mburoja, Policia jonë i ka shmangur këto viktima. Më 27 shtator Serbia shpalli ditë zie për terroristët e vrarë nga Policia e Kosovës dhe nga operacioni anti-terrorist“.

Kurti nënvizoi edhe faktin që Vuçiq nuk përmendi tre serbët e vrarë gjatë këtij sulmi

E vërejtët që sot, z. Vuçiq po rikujtonte disa serbë që janë lënduar apo plagosur në incidente të ndryshme, por nuk i përmendi tre serbët e vrarë, pse nuk i përmendi këta? Sepse e di që ata kanë qenë terroristë të financuar, mbështetur dhe orkestruar nga ai vetë dhe mu për këtë tre serbët e vrarë nuk u përmendën fare”, ka thënë kryeministri Kurti.

Sllovenia kërkon që palët të kthehen në dialog

Përfaqësuesi i Sllovenisë në OKB kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të vazhdojnë të përkushtohen ndaj dialogut, duke shtuar se përparimi dhe normalizimi janë thelbësorë që të dyja palët të vazhdojnë rrugën e tyre drejt BE-së.

Sa i përket vendimit për ndalimin e dinarit, Sllovenia shprehu shqetësim për serbët që marrin mbështetje financiare nga Serbia.

Por vuri në pah se autoritetet në Kosovë kanë mundësuar një periudhë tranzicioni.

Sllovenia kërkoi që të dyja palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të kenë ndikim në normalizimin e raporteve.

Zvicra: Të marrin përgjegjësi sulmuesit në Banjskë

Përfaqësuesi i Zvicrës në OKB ka ftuar Serbinë t’i vërë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit në Banjskë, e Kosovës i ka kërkuar që t’i shmangë veprimet e njëanshme.

Ai ka thënë se së fundmi është rrezikuar bashkëjetesa mes komuniteteve në Kosovës, duke i ftuar palët që të zgjedhin dialogun si proces të zgjidhjes.

“Ftojmë që Serbia t’i ftojë në përgjegjësi ata që kryen sulm në Banjskë…

Kosova e Serbia të përmbahen nga veprimet që rrezikojnë situatën”, ka thënë ai.

Kina: Veprimet e njëanshme nuk ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës

Përfaqësuesi i Kinës në OKB bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut, duke dënuar veprimet “e njëanshme” të Kosovës, sa i përket ndalimit të dinarit.

“Veprimet e njëanshme nuk ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe as nuk kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin e rajonit. I bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet dhe të heqë dorë nga vendimin për dinarin dhe të heqë dorë nga veprimet që mund të tensionojnë situatën”, tha përfaqësuesi kinez.

Ai tha se tensionet ndëretnike në Kosovë , “kërcënojnë stabilitetin dhe paqen në rajon dhe kjo nuk është në interesin e askujt”, duke përsëritur se qëndrimi i Kinës mbetet i njëjtë, që mes palëve të ketë një zgjidhje politike që do të respektonte integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.

Franca kërkon pezullimin e vendimit të BQK-së për dinarin, kërkon nga Serbia që fajtorët e Banjskës të vihen para përgjegjësisë

Përfaqësuesi i Francës në OKB, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë raportet mes tyre nëse synojnë integrimin në BE.

“Vendet duhet të përmbahen nga veprimet që nxitin tensione. Për këtë Franca ka shprehur shqetësimin për vendimin e BQK-së dhe mbylljen e disa komunave serbe në Kosovë. Kjo do të ndikojë në jetën e përditshme të serbëve sidomos në qasjen në shërbime sociale. Franca kërkon pezullimin e vendimit në mënyrë që të ketë një periudhë tranzicioni”.

Ambasadori i Francës tha se Kurti ka shprehur premtimin se duhet të ketë një periudhë tranzicioni dhe sipas tij kjo është pozitive.

Ai tha se statusi i komunave serbe duhet të zgjidhet përmes Asociacionit.

“Dënojmë sulmin në Banjskë dhe Franca kërkon nga Serbia që fajtorët të vihen para përgjegjësisë”.

Ambasadori i Francës ka thënë se marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër është e arritur e madhe.

“Ka progres në dialog sidomos për njohjen e tabelave dhe fushën e energjisë. Sulmet ndaj KFOR-it janë të papranueshme. Ne u bëjmë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të mbajnë premtimet dhe ta zbatojnë marrëveshjet e arritura”, ka deklaruar ambasadori francez.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat