Anëtari i kryesisë së partisë Guxo, Luan Gacaferi, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, është kapur tmerrësisht në befasi nga prania e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ai ka thënë se Kurti si një “gjeni i lindur”, e mbajti sekret deri në momentin e fundit shkuarjen në OKB, për përballjen me Vuçiqin, përcjell Bota sot.
“Se Albini është vërtet gjeni i lindur e tregoi edhe një herë sonte (mbrëmë), jo pse e bëri Vuçiqin për barna, se këtë e ka bërë me dhjetëra herë deri tani, por që e mbajti sekret deri në momentin e fundit shkuarjen e tij në OKB për t’u përballur me Vuçiqin, personalisht!
Ishte pikërisht efekti i befasisë që e bëri kaps Vuçiqin, n'gojë e n'tru, përball Kurtit, sepse sikur Vuçiq ta dinte që do të vinte Kurti personalisht në selinë e OKB-së, kurrën e kurrës nuk do të kishte ardhur Vuçiqi, por do ta kishte dërguar Brnabiqin në OKB!
Se çka ka shpija e tregon fëmija, sonte (mbrëmë) disa analistë e treguan ndoshta edhe pa dashje atë që Vuçiq e kishte llogaritur, por që u kap shah mat nga prezenca e Albinit në sallën e OKB-së! Disa anal-istë, thanë se ishte gabim që ka shkuar Kurti, ka qenë dashtë që Kosova të përfaqësohet nga ambasadori i Kosovës në SHBA e jo nga Kurti!
Pra, kjo tregon se Vuçiq është kapur tmerrësisht në befasi me prezencën e Kurtit në OKB, sepse ky ka qenë i bindur se Kosovën do ta përfaqësonte ndonjë figurë tjetër krejt dytësore, si puna e ambasadorit të Kosovës në SHBA, siç bënte dikur Vlora Çitaku!
Prandaj, e them se Kurti, gjeni ka lindur, e nuk është bërë! Apo siç thoshte dikur dr. Sali Berisha: "Albin Kurti është një bishë politike"”, ka shkruar Luan Gacaferi në një postim në Facebook.
Në mbledhjen e thirrur nga Serbia, pati përplasje të drejtpërdrejtë Kurti-Vuçiq. Kryeministri Kurti e demaskoi presidentin serb, i cili deklaroi se në Kosovë janë “krijuar kushte të padurueshme për serbët”.
Kurti, ndër tjerash tregoi se qëllimi i vërtetë i Serbisë, që ngriti alarmin për vendimin e BQK-së, që përjashton dinarin serb nga përdorimi, është se po ndalet financimi i kriminelëve në veri të vendit nga Beogradi.
Kurti tha se shqetësim i Serbisë nuk janë serbët e Kosovës. Ai tha se qytetarët serbë kërcënohen nga këto grupe të armatosura dhe tregoi se ata që nuk i bindën kanë vetura të djegura dhe i kërcënojnë familjarët./Botasot