Aktivisti i shoqërisë civile Rron Gjinovci, ka reaguar pasi Malta doli kundër Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u mbajt mbrëmë, me kërkesë të Serbisë.
Përfaqësuesi i Maltës në OKB i ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë t’i respektojnë marrëveshjet e dakorduara, duke shtuar se palët duhet t’i zgjidhin mospajtimet me dialog.
Sipas këtij shteti, zotimet duhet të implementohen, e Asociacioni i Komunave me shumicë serbe të jetë “qenësor në procesin e normalizimit”.
“Apelojmë që të implementohen zotimet, implementimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë qenësor në procesin e normalizimit dhe shpresojmë që të bëhet punë më e përshpejtuar gjatë muajve në vijim. Kjo është e vetmja rrugë që çon në anëtarësim në BE”, ka thënë përfaqësuesi i Maltës.
E Gjinovci, ka ironizuar, duke thënë se rezultatet e vizitës së presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, në Maltë janë zero.
“Presidentja Osmani u mytët tu u shëtitë në Maltë. Rezultati zero. Malta kundër neve në OKB”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Atij, menjëherë i është kundërpërgjigjur asistentja e presidentes Osmani, Egnesa Vitia, duke e quajtur “turp” këtë deklaratë të Gjinovcit.
“Presidentja asnjëherë nuk është shëtitë në Maltë. Ka pas një vizitë zyrtare në Maltë. Malta gjithnjë ka mbajtë qëndrim pro Kosovës. Për deklaratën e sotme, kërkoje përgjigjen tjetërkund. Kjo deklaratë e jotja është turp e përtej turpi, Rron”, ka thënë Vitia./Botasot