Këtë të martë janë intervistuar dy të dyshuarit e mitur, të cilët akuzohen për vrasjen e 18-vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahu, i cili vdiq në QKUK si pasojë e goditjeve që ka marrë nga dy të dyshuarit.
Në lidhje me këtë, Skender Musa, avokati i të dyshuarit të mitur E.K., ka thënë se në seancën e sotme, klienti i tij ka qëndruar pranë dëshmisë së tij të dhënë në polici.
Musa tha se klienti i tij, i mituri E.K., ka shprehur keqardhje për rastin që ka ndodhur dhe se sipas tij, i njëjti për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore ka kërkuar ndihmë edhe te mjekët e Qendrës së Paraburgimit në Lipjan.
“I ka kërkuar falje familjes dhe gjithë shoqërisë duke nënkuptuar edhe Prokurorinë e Shtetit. Akuza është vepra penale “vrasje”. Ai tash për tash nuk ka akuzë, pasi për të mitur s’ka akuzë, por hetimet po kryhen për veprën penale të vrasjes”.
“Ndërkaq i mbrojturi im i pranon veprimet, kurse sa i përket cilësimit juridik ne do ta shohim të gjithë materialin që e posedon prokuroria, të gjitha hetimet që i kanë kryer organet e hetuesisë, në mënyrë të veçantë Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorin dhe më pas do të shohim se cilat elemente të veprave penale janë plotësuar”, tha Musa në “Info Magazine”.
Tutje, Musa tha se në dëshminë e klientit të tij, ai i ka dhënë të gjitha sqarimet e situatës që nga fillimi i problemit, ku sipas tij, e gjithë ngjarja është zhvilluar në një periudhë kohore prej 1 deri në 3 minuta.
“Dhe ajo që është me rëndësi të sqarohet për opinionin, e gjithë ngjarja është zhvilluar në një periudhë shumë të shkurtë, prej 1 deri në 2-3 minuta nuk ka zgjatur më shumë procesi nga problemi i parë që e kanë pasur te berberi deri te rrahja ku janë takuar për herë të dytë”, tha ai.