SHBA angazhohet për zgjidhjen diplomatike të çështjes së dinarit në Kosovë

Aktuale

SHBA angazhohet për zgjidhjen diplomatike të çështjes së dinarit në Kosovë

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 22:00
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka folur në një konferencë të mërkurën lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb si mjet pagese. Ai theksoi angazhimin e Uashingtonit për zgjidhjen e kësaj çështjeje, e cila aktualisht ndodhet në një fazë tranzitore.

"Ne do të vazhdojmë të angazhohemi në mënyrë diplomatike për të adresuar këtë problem. Është në interesin tonë që të dyja palët të rikthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Nuk do të hyj në detaje për hapat konkretë në këtë fazë," tha Miller.

Gjatë konferencës, Miller u pyet gjithashtu rreth vizitës së ardhshme të Sekretarit Antony Blinken në Tiranë dhe mundësisë së transmetimit të ndonjë mesazhi për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përmes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

"Le të presim që Sekretari të komunikojë çdo mesazh direkt dhe në mënyrë private. Ai do të ketë një konferencë në Shqipëri ku do të diskutojë më gjerësisht rreth këtyre takimeve," u shpreh Miller.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat