Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri në 16-vjetorin e pavarësisë së Kosovës ka thënë se duhet ruajtur partneritetet që janë ndërtuar me mund me aleatët.
Në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës, Tahiri ka thënë se kjo nuk është vetëm dëshirë por obligim që është marrë nga brezat që dhanë gjithçka për liri.
“Duhet ta ruajmë partneritetin që e kemi ndërtuar me mund me ShBA-në dhe shtetet e BE-së, kjo nuk është dëshirë, është obligim që e ke marrë nga brezat që dhanë gjithçka për këtë liri”, ka deklaruar Tahiri.
Ndryshe, sot bëhen 16 vjet që kur Kosova u shpall shtet i pavarur. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës.