Hoxha: Këto javë Kosova do të jetë në thumb të presionit që ta zbatojë Asociacionin

Aktuale

Hoxha: Këto javë Kosova do të jetë në thumb të presionit që ta zbatojë Asociacionin

Më: 19 shkurt 2024 Në ora: 21:39
Ilustrim

Analisti Ylli Hoxha, ka thënë se Qeveria e Kosovës javëve në vijim do të përballet me një presion të shtuar nga ndërkombëtarët në mënyrë që të fillojë të zbatojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Në emisionin “Debat Plus”, ku po diskutohet për raportet në mes të Kosovës dhe SHBA-ve dhe vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit, Hoxha ka thënë se çështja e dinarit nuk është thelbi i problemit.

“Qeveria e Kosovës në këto javë do të jetë në thumb të presionit të jashtëzakonshëm që Asociacionin të fillojë ta zbatojë unilateralisht. Konsideroj që dinari nuk është thelbi i problemit por thelbi i problemit është tjetër kah. Deshifrohet nga takimi Rama-Blinken në formulimin e Ramës i cili thotë se nga Kosova duhet t’i implementojë zotimet e veta qoftë edhe unilateralisht. Kjo është fjalia thelbësore me të cilin përshkruhet problemi”, tha ai.

Sulmi që i është bërë vendimit të BQK-së sipas analisti Hoxha, ka qenë në masë të madhe prej ambasadorëve.

“A është ky vendim i duhur… është gjykuar pse nuk keni treguar që pensionet mund të rrezikohen nga kjo… e kanë sulmuar në procedurë vendimin. Tërheqja e BQK-së ka qenë plotësim i asaj kërkese, mbrojtje prej atij sulmi që ka ndodhur por jo edhe plotësim i krejt kërkesës së ndërkombëtarëve lidhur me vendimin”.

Bashkësia ndërkombëtare e cila është e etur për një sukses në raport me Serbinë, sipas Hoxhës, do të bëjë në këto javë presion ndaj Kosovës që të ecë tutje me zotimet e veta.

“Në mënyrë që të lehtësohet sado pak marrëdhënia e saj me Serbinë me shpresën që Serbia të pranojë në fund gjitha aranzhmanin që ia kërkojnë rreth Kosovës’, shtoi më tej ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat