Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e së premtes në Bruksel me shefin e diplomacisë europiane, Josep Borrell, ka deklaruar se nuk i është thënë se do të ketë ftesë për një takim të nivelit të lartë në kryeqytetin evropian.
Por nëse ka ftesë, Kurti tha se në Bruksel do shkoj për ta nënshkruar marrëveshjen me Serbinë, nëse ai ftohet për ta bërë një gjë të tillë.
Se a do të ketë së shpejti takim lidhur për çështjen e dialogut në Bruksel, dhe si do të shkojë rrjedha e bisedimeve, kanë dhënë detaje nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano thotë se nuk ka ndonjë risi në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Stano tha se në këtë fazë s’do të ketë takim.
“Nuk ka asgjë të re që mund t’i shtojmë asaj që kemi thënë tashmë për të gjitha çështjet më poshtë. Njoftojmë çdo takim lidhur me Dialogun kur dhe nëse është e përshtatshme. Nuk ka asgjë për të njoftuar në këtë fazë”, ka deklaruar Stano.
Ish-negociatori në dialogun Kosovë-Serbi, Lutfi Haziri ka folur lidhur me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për takimet në Bruskel.
Haziri nuk pret progres në dialog, nëse Kurti vazhdon me politikën e standardit të dyfishtë.
Sipas Hazirit, kryeministri aktual, ndryshe deklaron e ndryshe vepron.
“Deklarata e Kurtit është për mos me zgjidh asnjë lloj situate të re që është krijuar në raport me Kosovën, kjo është vazhdimësi e gjendjes që e ka shkaktuar me rregulloren e BQK-së dhe nuk ka shpresë që mund të lëvizët asgjë përveç nëse vazhdon me politikën e standardit të dyfishtë. Kurti ndryshe deklaron e ndryshe vepron”, theksoi Haziri.
Sipas ish-negociatorit Haziri, procesi i dialogut është stagnuar.
Këta janë tre veprimet që duhet të merr Qeveria ‘Kurti’ karshi dialogut, sipas Hazirit.
“Ka vetëm kërkesa për veprim në zbatimin e marrëveshjeve të fundit. Procesi i dialogut është i stagnuar. Veprimet e Qeverisë tonë janë obligimet ndaj marrëveshjes, vendimi i kabinetit qeveritar për draft statutin e Asociacionit që i ka thënë po Kurti në Bruksel, veprimi i dytë, deeskalimi i gjendjes në veri që nënkupton edhe zgjedhjet në katër komunat atje dhe zbatimi i nenit 7 të marrëveshjes së Brukselit”, u shpreh Haziri.
Deputetja e PDK-së: Në mungesë të seriozitetit me aleatët, Kurti ka përfunduar duke kërkuar nënshkrimet e Vuçiqit
Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Ariana Musliu-Shoshi ka deklaruar se në mungesë të seriozitetit me aleatët, kryeministri ka përfunduar duke kërkuar nënshkrimin e Vuçiqit.
Sipas deputetes, Kurti po e përfundoi mandatin duke u marr me dialogun.
“Më vjen keq që Kurti po e përfundon mandatin duke u marr vetëm me prioritetin e shtatë, pra dialogun. Në mungesë të parimeve, strategjisë, prioriteteve e seriozitetit me aleatët tanë, Kurti ka përfunduar duke kërkuar nënshkrimin e Vuçiqit për çështjet e brendshme të Kosovës”, deklaroi Musliu-Shoshi.
Musliu-Shoshi tha se Qeveria ‘Kurti’ është inspirim për t’u larguar rinia nga Kosova.
“Asnjë punë tjetër nuk ka bërë në këtë vend, as vendim as plan zhvillimorë. Asnjë përmirësim në jetën e qytetarëve, përkundrazi qeverisja e tij është inspirim për rinin me u largu prej Kosovës”, thotë ajo.
Deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se në ‘Bruksel do shkoj për ta nënshkruar marrëveshjen me Serbinë, nëse ai ftohet për ta bërë një gjë të tillë’, njohësi i politikës, po e vlerëson jo serioze.
Dritëro Arifi tha se me këtë deklaratë Kurti nuk po dëshiron ta zbatojë Asociacionin.
“Qasje e qeverisë është jashtëzakonisht jo serioze, duke ditur që BE-SHBA kanë potencuar që është marrëveshje ndërkombëtare, zotimet e Kurtit dhe Vuçiqit janë zotime ndërkombëtare është dokument zyrtar i pranuar nga të dyja palët. Kjo që ka deklaruar Kurti i bie që ai nuk po dëshiron ta zbatojë një pjesë të kësaj marrëveshjeje siç është Asociacioni”, theksoi Arifi.
Marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë këtë vit nuk do ketë, thotë Arifi.
Ai tha se ndërkombëtarët duhet ta shtojnë presionin ndaj palëve për zbatim të marrëveshjeve.
“Duhet të ketë një presion më të madh ndërkombëtar për të dyja palët ose të zbatojnë ose të ketë sanksione të rrepta për të dyja vendet. Nga këto veprime besoj që nuk do të ketë marrëveshje në këtë vit sepse koha është shume e limituar për shkak të zgjedhjeve që janë në BE-SHBA”, deklaroi Arifi.
Të martën, presidenti i Francës, Emmanuel Macron i është drejtuar me një letër, presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Macron ka kërkuar që të themelohet Asociacionit, e t’u hapët rruga zgjedhjeve lokale në veri të vendit.
Ai tutje ka thënë se, javët e ardhshme do të jenë vendimtare për implementimin e të gjitha dispozitave që dalin nga marrëveshja e Ohrit.
“Vendi i Kosovës do të jetë brenda Bashkimit Evropian dhe ju inkurajoj në këtë drejtim që të vazhdoni për forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Sfidat për komunitetin tonë do të jenë të shumta në vitin 2024, derisa lufta e agresionit nga Rusia po vazhdon në Evropë dhe stabiliteti i Lindjes së Mesme po kërcënohet seriozisht. Në këtë kontekst shumë të pasigurt ndërkombëtar, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përbën një sfidë parësore. Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila në veçanti përfshin organizimin e zgjedhjeve të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve”, thuhet në letrën që Macron i ka dërguar Osmanit.