Sindikata e Arsimit po këmbëngul në kërkesat e tyre.
Ata tash e sa kohë, nuk po pajtohen me Ligjin e Pagave dhe vlerën e koeficientit.
Për mos realizimin e kërkesave këta të fundit po paralajmërojnë grevë.
Por kjo grevë s’do të jetë e zakonshme, por “e heshtur”.
Kryesindikalisti i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se greva e heshtur do të thotë ‘kur mësimdhënësit i humbin disa minuta para orës mësimore dhe hyn në debatet që hapen në sallat e arsimtarëve për pakënaqësi që nuk gjejnë zgjidhje’.
Jasharaj tha se mësimdhënësit e arsimit s’po kanë mundësi të japin kontributin e tyre të plotë.
“Më e keqe se greva publike është ajo e heshtur, sepse atë publike të gjithë e dimë që shkollat janë të mbyllura dhe nxënësit janë në shtëpi, greva e heshtur është me të punësuar të pakënaqur me pagat. Kur mësimdhënësit i humbin disa minuta para orës mësimore dhe hyn në debatet që hapen në sallat e arsimtarëve për pakënaqësi që nuk gjejnë zgjidhje. Mësimdhënësit nuk po e japin kontributin që duhet ta japin pasi janë të zhgënjyer”, tregon Jasharaj.