Gjykata refuzon padinë e Xhafer Tahirit, i cili kërkonte 931 mijë euro dëmshpërblim nga Ferit Idrizi

Aktuale

Gjykata refuzon padinë e Xhafer Tahirit, i cili kërkonte 931 mijë euro dëmshpërblim nga Ferit Idrizi

Më: 21 shkurt 2024 Në ora: 23:49
Xhafer Tahiri/ Ferit Idrizi

Ish-kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, i është refuzuar padia me të cilën kishte kërkuar 931 mijë euro dëmshpërblim nga kryetari aktual i Komunës, Ferit Idrizi, pas precizimit të padisë të bërë në seancën e 08.09.2023  për shpifje dhe fyerje.

Xhafer Tahiri kishte paditur kryetarin e tanishëm të Vushtrrisë, Ferit Idrizin, për shpifje dhe fyerje, lidhur me një video-mesazh që ky i fundit e kishte publikuar në profilin e tij në Facebook gjatë kohës së fushatës për zgjedhjet të cilat ishin mbajtur në tetor të vitit 2021.

Tahiri në precizimin e padisë shumën e lartcekur e kishte kërkuar në emër të dëmshpërblimit për dëmin moral, jomoral dhe në emër të dëmit të ardhshëm.

Gjyqtari i çështjes, Izet Gërguri, më 17.10.2023 ka refuzuar padinë e Xhafer Tahirit për shpifje dhe fyerje si të pabazuar.

“Refuzohet e pabazuar kërkesë-padia e paditësit Xhafer Tahiri kundër të paditurit Ferit Idrizi”- thuhet në vendimin e datës 17.10.2023.

Sipas gjyqtarit të çështjes, padia është e pabazuar pasi që deklaratat televizive dhe postimet në Facebook të bëra nga Ferit Idrizi ishin bërë në cilësinë e qytetarit dhe njëherazi kundërkandidatit politik për postin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë. Këto deklarime, kritika e opinione sipas vendimit janë bërë lidhur me punën e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, të cilat preknin interesin publik e që ishin bazuar në raportet e auditimit të jashtëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të kryera për Komunën e Vushtrrisë.

“Vetë fakti se i padituri (Ferit Idrizi) kur është shprehur si qytetar i komunës së Vushtrrisë dhe njëherë edhe kundërkandidati politik për postin e komunës së Vushtrrisë, jep të kuptohet se i njëjti do të përpjekej të kritikoj dhe të jep opinione jo të pëlqyera nga paditësi (Xhafer Tahiri) i cili po ashtu ishte kundërkandidati politik për kryetar të komunës në zgjedhjet komunale të vitit 2021, por që dallimi mes dy palëve ndërgjyqëse ishte se paditësi në atë kohë ishte edhe ushtrues detyre i kryetarit të Komunës së Vushtrrisë”- thotë tutje vendimi.

Sipas vendimit të Gjykatës së Vushtrrisë, fakti se Xhafer Tahiri ishte kryetar Komune pas përfundimit të mandatit të tij nënkupton që  i njëjti mund të kritikohet apo të ketë opinione të padëshiruara, qoftë verbalisht apo me shkrim, nga shumë qytetarë aq më tepër nga i padituri si kundërkandidat politik për postin e njëjtë.

Sipas vendimit të Gjykatës është e pritshme dhe nënkuptueshme  në një shoqëri demokratike për perceptime të një individi si qytetar të shprehet se “ka dosje korruptive për një kryetar komune” apo se “ka korrupsion në Komunë”. Sipas gjyqtarit, këto kritika të tilla zakonisht u drejtohen zyrtarëve të lartë politikë publikë.

“Gjykata vlerëson se ngarkimi eventual me përgjegjësi civile i një qytetari- në atë kohë të të paditurit, por edhe në cilësinë e garuesit politik për kryetar komune nga partia tjetër prej paditësit, për faktin se ka shprehë një mendim dhe opinionin e tij, jo të konkretizuar në raport me veprimet eventuale konkrete të paditësit, pra për mënyrën se se si ka punuar paditësi si kryetar i komunës së Vushtrrisë në mandatin sa ka qenë kryetar Komune…, pra rreth punës dhe veprimtarisë me interes publik në një shoqëri demokratike, është i pabazuar dhe jo i drejtë”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Vushtrrisë.

Sipas Gjykatës, opinionet dhe kritikat, qofshin ato pozitive apo të padëshiruara, në drejtim të punëve të zyrtarëve publikë- kryetarëve të komunave duhet të shërbejnë si mjet dhe nxitës për përmirësimin e mëtejmë të shërbimeve publike për qytetarët e komunës.

“Gjykata gjen se i padituri me kritikën dhe opinionin e tij nuk e ka konkretizuar se me cilat vperime apo në cilin rast paditësi ka “Shkel Ligjin”, në mënyrë që i njëjti të arsyetonte posedimin e “Dosjes korruptive të Xhafer Tahirit”. Pra i padituri (Ferit Idrizi) në mënyrë të përgjithshme dhe shabllone ka folur për punën e kryetarit të komunës, gjatë mandatit të tij të kaluar”- arsyeton Gjykata refuzimin e padisë së Xhafer Tahirit.

Sipas Gjykatës, njëjtë ka ndodhur edhe me fotot që i ka postuar në Facebook i padituri Ferit Idrizi, i cili nuk e ka specifikuar apo konkretizuar se paditësi (Xhafer Tahiri) në cilin rast e ka shkelur ligjin.

Gjykata tutje ka specifikuar se me asnjë provë nuk ka arritur të vërtetohet se paditësit i është dëmtuar reputacioni.

Kujtojmë që Xhafer Tahiri kishte paditur kryetarin e tanishëm të Vushtrrisë, Ferit Idrizin, për shpifje dhe fyerje, lidhur me një video-mesazh që ky i fundit e kishte publikuar në profilin e tij në Facebook gjatë kohës së fushatës për zgjedhje, të cilat ishin mbajtur në tetor të vitit 2021.

Në ato deklarata, sipas padisë, Idrizi përmend “aferat korruptive” të kryetarit të atëhershëm, Xhafer Tahiri.

Sipas Tahirit, kryetari i tanishëm, i cili vjen nga radhët e PDK-së, e ka bërë këtë me qëllim të përfitimit të votave për vete e në dëm të tij.

Se do të paraqiste padi për këto deklarata të Idrizit, Xhafer Tahiri kishte paralajmëruar në emisionin “Debat përnime” në të cilin ishin prezentë që të dy.

Detaje të tjera lidhur me debatin ku protagonist ishin Tahiri e Idrizi mund t`i ndiqni duke klikuar në këtë LINK, më saktësisht në minutën 28:16:00.

Në debatin në fjalë, Tahiri kishte paralajmëruar që dosja e pretenduar e Idrizit po shfrytëzohej nga i njëjti për degradim personal me ç’rast i tha se “ose vet do të dënohem për korrupsion siç thoni ju ose ju do të dënoheni për shpifje”.

“Këtu kompromis nuk ka”- kishte shtuar ai.

Ish-kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, gjatë vitit 2021 kishte paditur kandidatin për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, në atë kohë, Ferit Idrizin, për shpifje dhe fyerje.

Tahiri e Idrizi në atë kohë ishin që të dy kandidatë për kryetar të Komunës, bëhet fjalë për zgjedhjet e tetorit të vitit 2021. Të njëjtit ishin në balotazh.

Tahiri përmes padisë pretendonte se Ferit Idrizi më 25.12.2021 kishte shpërndarë në rrjetin social Facebook një video-mesazh me të cilin u drejtohej qytetarëve të asaj komune dhe në video përmendeshin “afera korruptive” të Xhafer Tahirit.

Tahiri ishte kryetar i Komunës që nga viti 2017.

Xhaferi në padinë e dorëzuar në Gjykatën e Mitrovicës, dega Vushtrri, kishe paraqitur si provë një video që Idrizi e kishte shfaqur në profilin e tij në Facebook.

E sipas paditësit, këto deklarata të Idrizit janë shpifje me qëllime politike për të dëmtuar imazhin e tij, pasi, siç pretendonte ai, ndaj tij nuk ka asnjë proces gjyqësor për afera korruptive apo ushtrim të ndikimit.

Tahiri deklaratat e Idrizit i ka konsideruar si tendencioze me qëllim të denigrimit të personalitetit të tij prej kryetari të Komunës e në atë kohë konditat për rizgjedhje. Në garë ishte më të paditurin.

Marrë për bazë këto pretendime, Tahiri kishte paditur Idrizin, duke kërkuar nga Gjykata që kjo padi të aprovohet në tërësi si e bazuar dhe që të detyrohet Idrizi të largojë nga ta gjitha domenet publike statusin dhe të kërkojë falje.

Krahas këtyre, Tahiri ka kërkuar nga Idrizi kompensim të dëmit material dhe jomaterial në vlerë prej 9,500.00 euro dhe në fund Gjykatës i është kërkuar që të obligohet i padituri të publikojë në gazetat ditore aktgjykimin e nxjerrë.

Pas precizimit të padisë të bërë në seancën e 08.09.2023, Xhafer Tahiri kërkonte dëmshpërblim në vlerë 931 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat