“Raportet me SHBA-të s’janë të irrituara vetëm për dinarin”/ Politologu: Me kërcënime ndaj Amerikës nuk del fitues

Aktuale

“Raportet me SHBA-të s’janë të irrituara vetëm për dinarin”/ Politologu: Me kërcënime ndaj Amerikës nuk del fitues

Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 14:55
Dritëro Arifi

Politologu Dritëro Arifi thotë se raporti me SHBA-të nuk janë të irrituara vetëm për çështjen e dinarit dhe kjo është një shkas për të mbuluar një problem tjetër.

“Besoj që nuk është vetëm çështja e dinarit pasi është hiperbolizuar, por është një shkas për ta kërkuar apo për ta mbuluar një problem tjetër, pra SHBA-të nuk janë të irrituara me vendimin por me mënyrën se si është marrë vendimi, kjo është krejt esenca se qeveria nuk po di se si ta shpjegojë dhe nuk ka dashur ta shpjegojë, sepse vendimet nuk merren në atë formë. Politikë bërja është një proces që fillon, debatohet, vazhdon dhe vjen një përfundim, kështu duhet të shkojë pak a shumë. Politikë bërja në Kosovë po kuptohet si një akt që sot e morëm një vendim dhe ka përfunduar gjithçka, pa e elaboruar me të gjitha palët e interesit”, thotë ai.

Sipas Arifit, SHBA ka marrë goditje dhe është ndier i befasuar lidhur me vendimin për dinarin, por që qeveria s’ka pasur normalitet as para këtij vendimit dhe tani pritet që ajo ta riparojë këtë marrëdhënie të dëmtuar, derisa SHBA qëllimin e ka te zbatimi i marrëveshjes franko-gjermane.

“Kjo për SHBA-të ka qenë goditje, kur partneri yt më i mirë dhe më i besueshëm thotë që në njëfarë mënyre është ndjerë i befasuar, atëherë po na lë të kuptojmë se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur një normalitet edhe para dinarit, marrëdhënie normale me qeveritë perëndimore, në këtë rast me SHBA-të, ose nuk kanë arritur të kenë një komunikim të shëndoshë dhe po besoj se raportet veç janë dëmtuar, tash çka pritet nga Qeveria e Kosovës themi kushtimisht, për ta riparuar këtë marrëdhënie të dëmtuar është që të fokusohen seriozisht në zbatimin e marrëveshjes ose të kërkojnë nga SHBA-të një rrugëdalje jo vetëm për dinarin por qëllimi është realisht te zbatimi i marrëveshjes franko-gjermane, aty është krejt problemi, aty është krejt ngecja, SHBA-të po insistojnë që të përfundojë më shpejt, ndërsa Kosova ende po heziton për shkak të shikimit të saj që e ka nga Serbia, që është prapë politikë e gabuar, sepse ne nuk guxojmë të notojmë në dinamikën serbe. Ky është një gabim që e ka bërë Qeveria Kurti që nga viti 2021”, thekson politologu.

Lidhur me atë se a mund të ketë pasoja kjo për Kosovën, ai vlerëson se varet nga qeveria se çka do të bëjë.

“Edhe mund të ketë. Kjo varet nga dinamika e Qeverisë dhe nga veprimet e tyre. Ekskluzivisht varet nga qeveria e Kosovës se çfarë qasje do të marrin, në kuptimin se çka do të zbatojnë e çka jo dhe çka janë të gatshëm”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat