Konjufca pret në takim Al Dosarin, ambasadori rithekson vazhdimin e përkrahjes së Katarit për Kosovën

Aktuale

Konjufca pret në takim Al Dosarin, ambasadori rithekson vazhdimin e përkrahjes së Katarit për Kosovën

Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 17:21
Foto nga takimi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadorin e Shtetit të Katarit, jorezident në Republikën e Kosovës, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve tona.

Nga Kuvendi njoftojnë se Konjufca shprehu mirënjohje për Shtetin e Katarit, për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Ndërkaq, duke e falënderuar Konjufcën për pritjen, Al Dosari ritheksoi vazhdimin e përkrahjes së vendit të tij për Kosovën.

“Kryetari Konjufca dhe ambasadori Al Dosari shprehën gatishmërinë për avancimin e raporteve miqësore dhe zgjerimin e mundësive të bashkëpunimit në fusha të ndryshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Katarit”, theksohet në kumtesën për media.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat