Një ditë para takimit në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, lidhur me ndalimin e përdorimit të dinarit si mjet pagese në Kosovë, njohësit e procesit të dialogut thonë se pjesëmarrja e BQK-së në këtë takim është tregues se Qeveria e Kosovës po dëshiron që i njëjti të jetë vetëm i karakterit teknik, në mënyrë që të gjenden modalitetet për transferimin e mjeteve nga dinari në euro për qytetarët serb në Kosovë. Megjithatë, ngritën edhe shqetësime se rregullorja e BQK-së mund të bëhet temë e vazhdueshme në dialog.
Politologu, Dorajet Imeri, thotë për KosovaPress se mospjesëmarrja e kryenegociatorit Besnik Bislimi në takimin e nesërm tregon se ekzekutivi nuk dëshiron që kjo çështje të politizohet dhe as të bëhet pjesë e negociatave.
Imeri: Takimi i nesërm është më shumë i karakterit teknik
“Duke mos marrë pjesë në këtë takim, zëvendëskryeministri, njëherësh kryenegociatori, Besnik Bislimi, po dëshirohet të tregohet fakti se kjo çështje nuk negociohet në mes palëve, nuk është temë, nuk është pjesë e debatit dhe pjesë e negociatave. Rrjedhimisht nuk mundet të pritet ndonjë çështje që lidhet me mundësinë për të politizuar atë. Serbia është e interesuar që të politizojë të përfshijë në një proces negociues, të marrë shumë kohë dhe ta dramatizojë. Prandaj kjo mosshkuarje mund të lexohet në këtë aspekt. Ndërkaq në anën tjetër, nëse kjo çështje është pjesë e diskutimit të ekspertëve në mes dy bankave, si BQK-së dhe Bankës Popullore të Serbisë është tregues se kjo çështje është e karakterit teknik, çështje e zbatimit dhe çështje modalitetesh”, thotë ai.
Në anën tjetër, njohësi i procesit të dialogut, Dritëro Arifi, pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e nesërm të Brukselit po e sheh si një tërheqje nga vendimi për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Arifi: Shpresojmë që vendimi për dinarin nuk do të futet në temë të dialogut
“Nga një ‘jo’ e fuqishme e qeverisë e kemi një ‘po’ të butë diplomatike. Kemi ardhur në këtë nivel që Kosova tash të diskutojë për dinarin me BE-në. Nuk ka asgjë të keqe, por është pak i vonuar veprimi i qeverisë, por sidoqoftë shpresojmë që nuk do të futet në dialogun Kosovë-Serbi. Unë më shumë e shoh si një takim bilateral mes Kosovës dhe BE-së për t’u sqaruar e gjithë procedura dhe vendimi se kur do të hyjë në fuqi. Në një mënyrë vendimi veçse është pezulluar, por në një formë të heshtur, pasi ende s’ka specifika dhe qartësi se çka po ndodh”, deklaron Arifi.
Pjesëmarrjen në takimin e nesërm e kanë konfirmuar sot Banka Qendrore e Kosovës.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në euro)..Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Sa i përket takimit të nesërm kanë folur edhe zyrtarë të BE-së. Zëdhënësja e BE-së për çështje të Politikes së Jashtme dhe Sigurisë, Nabila Masralli ka deklaruar se të dyja palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, derisa ka shtuar se takimi do të nis në mëngjes do të ketë rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut.
Nga 1 shkurti i këtij viti ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, që e përcakton euron si monedhë të vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë. Dinarët mund të mbahen në llogari bankare ose të shkëmbehen në euro. Banka Qendrore e Kosovës ka siguruar se rregullorja e saj nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro në bankat e licencuara në Kosovë dhe ka bërë thirrje për hapjen e këtyre llogarive.