Radosh Petroviq u dënua me 6 mijë euro gjobë dhe Dushan Obrenoviq u dënua me 6 muaj burgim, nën akuzën se të njëjtit kanë sulmuar disa pjesëtarë të KFOR-it në Zveçan.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Petroviq është dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim, me pëlqimin e tij, i zëvendësohet me gjobë 6 mijë euro.
Në këtë dënim, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, ku për secilën ditë qëndrimi llogariten nga 20 euro.
Kurse, i akuzuari Obrenoviq u dënua me 6 muaj burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 29 maji deri më 27 nëntor 2023.
Të akuzuarit obligohen që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës sipas llogaritjes së shpenzimeve të gjykatës, për paushallin gjyqësor secili veç e veç obligohen të paguajnë nga 200 euro, si dhe nga 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Por si rrodhi situata që solli dy të dyshuarit përpara Gjykatës?
Petroviq dhe Obrenoviq dyshohet se në protestat e majit të vitit të kaluar, kanë tentuar të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues në komunat veriore.
Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë refuzuar urdhrat e ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës.
Të njëjtit dyshohet të kenë nxitur turmën në huliganizëm dhe dhunë në protesta, duke u pohuar se janë shkaktuar dëme të konsiderushem në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe veturat e gazetarëve, të cilët kanë mbuluar ngjarjet e 29 majit.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Petroviq dhe Obrenoviq, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 404, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Përveç Dushan Obrenoviqit dhe Radosh Petroviqit, në mesin e të arrestuarve për protesta të dhunshme në veri janë edhe Millun Millenkoviq-Llune, Dalibor Spasiq, Urosh Vukasinoviq, Nemanja Vlashkoviq, Millan Bozhoviq dhe Sllagjan Trajkoviq.