Anëtari i kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj, ka thënë se pas deklaratave që i bëri sot ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se raportet me qeverinë e vendit nuk janë në nivelin e duhur, kjo ka qenë një nga momentet më të vështira të shërbimit të Hovenierit në Kosovë.
Nikaj tha se kjo deklaratë e Hovenierit erdhi pas një kohe të stërzgjatur të insistimeve të të gjitha niveleve të ShBA-së që Qeveria e Kosovës të tregohet bashkëpunuese ose mirëkuptuese ndaj sugjerimeve që i kanë bërë aleatët.
“Ne jemi në një situatë të tillë, jo për shkak të një padrejtësie të madhe që po i bëhet Kosovës, pasi sa herë që një lider ka profeci të padrejtësive të mëdha, i fsheh dështimet e veta, por për shkak të një politike të drejtuar gabimisht nga Qeveria e Kosovës”.
“Ne kemi provuar në vazhdimësi që të prezantojmë një qëndrim të asaj se si ne e shohim raportin e Kosovës me BE-në dhe me ShBA-në. Ka një kohë që ne kemi hequr dorë që ta këshillojmë Kurtin, pasi është e qartë se ai është i pa këshillueshëm”, tha ai.
Më tej, Nikaj tha se nuk ka shumë sens që të vazhdojnë t’i flasin Kurtit, por tha se do të provojnë që ta prezantojnë situatën dhe alternativat e nevojshme se si duhet sjellur në një situatë të tillë, teksa paralajmëroi që Kurti do të humb në zgjedhjet e radhës.
“Kurtit, veprimet do t’ia ndryshojnë vetëm qytetarët e Kosovës me humbje në zgjedhje dhe kjo është bukuria e demokracisë. Por, atë që ne mund ta bëjmë si opozitë është që ne të prezantojmë opsionet dhe të tregojmë se si e shohim ne situatën aktuale por edhe për veprimet që duhet ndërmarrë për të ecur përpara”, tha ai.