Paditen Kuvendi dhe deputetja Demi-Murtezi për diskriminim ndaj personave LGBTIQ+
Organizatat Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Qendra për Barazi dhe Liri, Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Civil Rights Defenders, kanë dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku më pas do të paraqesin edhe një ankesë te avokati i popullit për shkak të cenimit të dinjitetit dhe diskriminimit të personave LGBTIQ+ gjatë seancës plenare të 16 marsit 2022 në Kuvendin e Kosovës.
“Ankesa dhe padia janë paraqitur kundër Kuvendit të Kosovës dhe kundër deputetes, zonjës Labinotë Demi-Murtezi. Sjellim në vëmendjen tuaj se në këtë ditë më 16 mars, Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti seancë plenare në të cilën bëri edhe shqyrtimin e parë të projekt-kodit civil të Republikës së Kosovës. Gjatë kësaj seance u zhvillua debat polemizues në lidhje me dispozitat specifike të projekt-kodit civil, të cilat kishin të bënin me bashkësitë e regjistruara civile mes personave me seks të njëjtë”, u prononcuan ata për media.
“Deputetë e deputete kanë përdorur gjuhë stigmatizuese dhe diskriminuese ndaj personave LGBTIQ+, ku drejtuesi i seancës plenare të Kuvendit nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim, për të mos e lejuar apo sanksionuar një gjuhë të tillë, siç e thotë edhe rregullorja e Kuvendit”.