Ilir Shaqiri e Shkurte Fejza këndojnë në Seancën Solemne të Kuvendit të Kosovës

Aktuale

Ilir Shaqiri e Shkurte Fejza këndojnë në Seancën Solemne të Kuvendit të Kosovës

Nga: Bota sot Më: 5 mars 2024 Në ora: 09:00 Përditësuar në ora: 12:32 më 05.03.2024
Kuvendi i Kosovës

​Partitë politike nderojnë jetën dhe sakrificën e familjes Jashari

Seanca solemne për nder të 26-vjetorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka nisur me një minutë heshtje për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët për liri. Deputetët kanë nderuar sakrificën dhe flijimin e familjes heroike nga Prekazi. Pozitë e opozitë kanë thënë se liria është amaneti i komandantit legjendar dhe dëshmorëve të lirisë. Në këtë seancë solemne u përmendën edhe ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët po gjykohen nga Hagë. Po ashtu, u bë thirrje që të ruhen miqësitë dhe miqve mos t’u mbyllen dyert.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi-Mehmeti u shpreh se qëndresa është virtyt i së drejtës. Ajo nderoi sakrificën e gjithë heronjve për liri dhe pavarësi të vendit.

Selimi-Mehmeti: Atdheu dhe liria janë amaneti i Adem Jasharit dhe dëshmorëve të lirisë

“Atdheu dhe liria janë amaneti i Adem Jasharit dhe dëshmorëve të lirisë. Këtë amanet duhet të jemi gati ta ruajmë me jetën tonë. Kështu e nderojmë veprën e Jasharëve. Kohët që po kalojnë nuk janë aspak të qeta. Ata na kujtojnë se armiku është i njëjtë, ai është i njëjtë tash e një shekull. Dredhitë e njëjta, planet e njëjta, egërsinë e fshehur po të njëjtë. Në këtë kohë aspak të lehta, na duhen më shumë se kurrë mësimet e Ademit dhe Hamzës. Për atdheun asnjë kompromis”, u shpreh ajo.

Në 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri përmendi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Tahiri: Ish-luftëtarët e UÇK-së po e mbrojnë drejtësinë e luftës

“Kur e kujtojmë Epopenë e komandantit legjendar Adem Jashari, nuk mund të harrojmë edhe bashkëluftëtarët e tij që sot janë në Hagë duke bërë betejën e radhës për Kosovën. Presidentin Hashim Thaçi, kryetarin Kadri Veselin, kryetarin Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimin dhe të tjerët, që sot janë në betejën për mbrojtjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata sot po e mbrojnë drejtësinë e luftës së UÇK-së, të komandantit legjendar Adem Jashari, po e mbrojnë sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve e martirëve të rënë në luftën tonë për çlirim. Në vitin 1990, Thaçi dhe Selimi u dënuan me grupin e Jasharit nga gjykatat serbe, por lufta e tyre dhe komandantit legjendar Adem Jashari, ishte e drejtë dhe kemi shpresën që edhe në procesin në të cilin po kalojnë ata sot, do të dalë e drejtë dhe fitimtare siç ka dalë çdo herë”, deklaroi ai.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni tha se datat 5,6 dhe 7 mars, janë të përjetshme shqiptare. Ai shtoi se krisma e pushkës së Adem Jasharit ishte krisma e mbrojtjes së pragut të shtëpisë.

Quni: Kurrë miqve mos t’ua mbyllim derën

“Sot jemi të lirë dhe të pavarur, mirëpo na mbetet të punojmë fort dhe ta zhvillojmë atdheun ashtu siç e meriton. Të punojmë fort e ta bëjmë ushtrinë tonë pjesë të NATO-s, të punojmë fort e ta bëjmë Kosovën pjesë të Bashkimit Evropian, të punojmë fort e t’i ruajmë miqësitë e Kosovës me miqtë e përjetshëm. Kurrë miqve mos t’ua mbyllim derën, kurrë armiqtë mos t’i lejojmë të shkelin në pragun e shtëpisë. Kjo është detyra jonë këtë ia kemi borxh Adem Jasharit dhe familjes heroike Jashari”, u shpreh ai.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri nderoi sakrificën e familjes Jashari.

Tahiri: Datat 5, 6 dhe 7 mars shënojnë kthesën e madhe për Kosovën

“Baci Shaban me të bijtë, Ademin e Hamzën, i kishin krejt të njohura faktet e rezistencës por edhe fatet popujve që nuk ecin në atë rrugë. Datat 5, 6 dhe 7 mars shënojnë kthesën e madhe për Kosovën, aty ku ndryshoi ora e historisë, aty ku u bë një epokë. Shtëpia, oda e familjes Jashari ishte kthyer në kuvendin e shumë takimeve të luftëtarëve për liri, aty vinin nga Drenica, Dukagjini, Llapi, Shala e Bajgorës, Pashtriku, Gollaku, Nerodimja, Karadaku dhe nga të gjitha trojet shqiptare. Ky vend i shenjtë ishte kthyer në qendrën e rezistencës, dhe të frymëzimit të atdhetarëve të UÇK-së”, përfundoi Tahiri.

​Konjufca: Familja Jashari zbatoi parimin ideal të jetës, liri a vdekje

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se familja Jashari e ka zbatuar parimin ideal të jetës, liri a vdekje. Teksa citoi fjalët e Hamzë Jashari, ai shtoi se sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë në Prekaz të frymëzohet aty ku u ngjiz liria.

Në seancën solemne për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Konjufca shtoi se rënia heroike e Jasharëve i dha jetë UÇK-së.

Konjufca: Sakrifica madhështore e Jasharëve na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të krenarisë

“Sakrifica madhështore e Jasharëve, na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të dinjitetit dhe të krenarisë. Jasharët, në krye me Ademin e Hamzën, me bacin Shaban e të gjithë familjarët tjerë, gra e burra, pleq e fëmijë, u sakrifikuan kolektivisht në luftë të drejtpërdrejtë për liri. Ata kolektivisht e zbatuan parimin ideal të jetës, liri a vdekje. Kur kombi arrin ta përcaktojë këtë princip, rënia bëhet liri e liria bëhet domosdoshmëri. Liria është si ajri, por ajo nuk rrin pezull. Ajo ngrihet mbi themele të forta, kurse rrënjët e saj shtrihen thellë në tokën e të parëve tanë. Siç thoshte Hamza “Ne do të jemi këtu, sepse nuk kemi ku të shkojmë, guri peshon në tokën e vetë’. Themelet e lirisë tonë rrin të patundura mbi gjakun e dëshmorëve, Kosovës nëpër vena i rrjedh gjaku i dëshmorëve”, deklaroi Konjufca.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca shtoi se sa të ketë komb shqiptar, secili do të vijë në Prekaz për tu frymëzuar.

Konjufca: Sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë në Prekaz e do të frymëzohet

“Nuk e di kurrë se a janë fjalë të afta ta thonë krejt ngjarjen. Nuk e dimë kurrë se a mund ta kuptojmë plotësisht përmasën e kësaj sakrifice, druaj nëse vërtetë mund t’i dalim hakut ne të gjallët heroizimit të tyre. Por një gjë të thjesht me siguri e di se a është i sigurt edhe gjaku i tyre. Se sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë në Prekaz e do të frymëzohet aty ku u ngjiz liria. Lavdi Jasharëve, zoti e bekoftë kombit tonë të pamposhtur”, përfundoi Konjufca.

Kurti: Adem Jashari ka hisen më të madhe në historinë e vendit

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se Epopeja e UÇK-së është trashëgimia më e madhe politike, kulturore e kombëtare. Sipas tij, Kosova është çliruar nëpërmjet trashëgimisë që e prodhoi figura e Adem Jashari. Ai në seancën solemne për nder të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së u shpreh se liria ishte kushti i jetës që u bë edhe kushti i vdekjes së Adem Jasharit.

Para Rifat Jasharit, diplomatëve të huaj, e mysafirëve të tjerë në Kuvendin e Kosovës, Kurti theksoi se rezistenca e familjes Jashari është unike.

Kurti: Kosova është çliruar nëpërmjet trashëgimisë politike që e prodhoi Adem Jashari

“Epopeja e UÇK-së, përkatësisht historia e luftës së armatosur të Adem Jasharit, së familjes Jashari të Prekazit dhe gjithë atyre që ecën bashkë me ta dhe pas tyre në rrugën e çlirimit përmbledhin një trashëgimi të madhe politike, kulturore dhe kombëtare nga e cila ka ardhur liria e Kosovës dhe mbi të cilën është ndërtuar vet shteti i saj. Kosova është çliruar prej Serbisë okupatore pikërisht nëpërmjet trashëgimisë politike që e prodhoi personalitetin dhe figurën e Adem Jasharit. Nga po kjo trashëgimi është ngritur dhe po ndërtohet dhe po forcohet edhe shteti ynë. E kam fjalën për trashëgiminë e dalë nga kultura e rezistencës së armatosur dhe aktivizmit të kulluar politik sidomos që nga lidhja e Prizrenit e këtej, që i ka karakterizuar shqiptarët dhe veçanërisht Kosovën”, deklaroi ai.

Kurti shtoi se këmbëngulësia e Adem Jasharit dhe familja e tij sollën lirinë për popullin e Kosovës.

Kurti: Adem Jashari ka hisen më të madhe në historinë e vendit

“Sot në Republikën e Kosovës, liria për të cilën kishte luftuar deri në vdekje Adem Jashari, është bërë paradigma bazë e jetës dhe e ligjeve të një shoqërie moderne. Vjet e shënuam 25-vjetorin e UÇK-së, kurse sivjet do ta shënojmë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Në qershor të vitit 1999 duke i përkujtuar betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vrasjet, masakrat dhe spastrimin etnik të kryer nga Serbia e udhëhequr nga një regjim gjenocidal mbi shqiptarët në Kosovë dhe me ndihmën e aleatëve që u çliruam bashkërisht në 25 vjet më parë. E në këtë histori të çlirimit dhe të shtet ndërtimit, Adem Jashari dhe krejt çfarë përfaqëson figura e tij ka një hise shumë të madhe. Që në të vërtetë është hisja më e madhe që mund ta ketë një njeri në historinë e vendit dhe të kombit të tij”, shtoi ai.

Më tej, Kurti theksoi se Adem Jashari është i përveçëm që i referohet lirisë.

Kurti: Adem Jashari është emri i përveçëm i njeriut me të cilën mund t’i referohemi lirisë sonë

“Liria ishte kushti i jetës që u bë edhe kushti i vdekjes së Adem Jasharit. Andaj, nëse historia është përparimi i vetëdijes së popujve për liri, atëherë Adem Jashari është emri i përveçëm i njeriut me të cilën ne mund t’i referohemi lirisë sonë”, përfundoi ai. 

​Osmani: Shteti i Kosovës qëndron mbi supet e heronjve tanë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se Adem Jashari dhe gjithë familja e tij ranë në altarin e lirisë duke u shndërruar në gardian të përhershëm të Kosovës. Ajo theksoi se marsi është i muaji i skalitur në analet e luftës së kombit për liri. Kështu u shpreh ajo në seancën solemne për nder të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Kryetarja e shtetit theksoi se epopeja e UÇK-së përcaktoi fatin e popullit të Kosovës, teksa theksoi se ajo ishte epope e dinjitetit, e krenarisë dhe lirisë.

Osmani: Marsi është muaji i skalitur në analet e luftës së kombit tonë për liri

“Marsi është muaji i skalitur në analet e luftës së kombit tonë për liri, një muaj kur shpirti i pa epur i Adem Jasharit dhe UÇK-së i dha hov luftës kundër regjimit gjenocidal të Millosheviq. Prandaj, sërish vjen marsi nuk është më vetëm një refren kënge, është moto e kujtesës dhe nderimit tonë të luftës për liri dhe pavarësi e cila pa dyshim identifikohet me kryepersonazhin e luftës tonë, komandantin legjendar Adem Jasharin, familjen e tij dhe gjithë ushtrinë çlirimtare të Kosovës. Në 16 vjetorin e Pavarësisë së shtetit tonë, Epopeja e UÇK-së shënon 26 vjetorin e saj. Me 5,6, dhe 7 mars të vitit 98, Shaban Jashari, Ademi, Hamza dhe gjithë anëtarët e familjes Jashari treguan heroizëm e sakrificë të pashoq duke mbrojtur pragun e shtëpisë së tyre”,

Praga i shtëpisë së familjes Jashari, Osmani shtoi se simbolizonte vet Kosovën. Ajo tha se përballë tiranisë dhe padrejtësisë, Adem Jashari personifikon guximin dhe përkushtimin e palëkundur për liri.

Osmani: Ademi dhe e gjithë familja e tij refuzuan të përulen

“Ai (Ademi) dhe gjithë familja e tij refuzuan të përulen, ndaj luftuan për dinjitetin dhe lirinë e gjithë Kosovës. Kryengritësi ynë, Adem Jashari ra në altarin e lirisë bashkërisht me anëtarët e familjes së tij, duke u shndërruar kështu në gardian të përhershëm të Kosovës, në gardianm të përhershëm të lirisë sonë të larë me gjak. Ata udhëhoqën betejën për liri, prandaj për stoicizmin, përkushtimin dhe heroizmin e dëshmuar ne u detyrohemi komandantit legjendar me familje dhe secilit luftëtar, seciliut veteran dhe invalid të UÇK-së me mirënjohje të përhershme. Heronjtë janë udhërrëfyes të rrugëtimit të shtetit tonë, prandaj do ta nderojmë kujtimin për ta duke ruajtur dhe kultivuar vlerat për të cilat ata luftuan dhe ranë”, shtoi ai.

Osmani shtoi se shtëpitë e Jasharave pulsojnë jetë, ndërkohë që shtoi se duhet të vazhdohet forcimi i shtetit dhe duke e mbrojtur jetën e çdo qytetari.

Osmani: Shteti i Kosovës qëndron mbi supet e heronjve tanë

“Sot shteti i Kosovës qëndron pikërisht mbi supet e heronjve tanë, guximi dhe sakrifica e të cilëve e ka formësuar fatin e republikës sonë. Republikës tonë të shenjtë. Kësaj republike ne do i shërbejmë me devotshmëri, ashtu siç i shërbyen të gjithë ata dëshmorë të rënë. Vepra e Adem Jasharit dhe gjithë familjes Jashari është një testament për fuqinë e shpirtit njerëzor. Një kujtesë se edhe në orët tona më të errëta ne gjejmë forcë si popull për tu ngritur mbi rrethana të rënda dhe për të luftuar për atë që besojmë. Ai e bëri, komandanti legjendar e bëri prandaj u shndërrua në heroin tonë të përjetshëm së bashku me gjithë familjen e tij. Ai ishte më shumë se një komandant, ishte një vizionar, guximi i të cilit nuk njohu kufi. Sot shteti ynë ec përpara krahas gjeneratës së re të Jasharëve, me Ademin e ri, Hamzën e ri, të gjithë të rinjtë e të rejat të cilat në çdo cep të Kosovës këndojnë “Mora fjalë”, përfundoi ajo.

Ilir Shaqiri e Shkurte Fejza këndojnë në Seancën Solemne të Kuvendit të Kosovës

Dy artistët e njohur, Ilir Shaqiri dhe Shkurte Fejza kanë qenë mysafirë special në Kuvendin e Kosovës.

“Sërish vjen marsi” dhe “Mora Fjalë” kanë qenë dy këngët që janë interpretuar nga artistët për Kuvendin e Kosovës.

Kjo ka qenë hera e parë që ka pasur performancë drejtpërdrejtë në Kuvend.

Kjo përformacë është mbajtur me rastin e seancës solemne me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Nis seanca me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar

Ka nisur të mbahet seanca solemne me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca ka nisur me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar.

Po ashtu, ligjvënësit dhe të pranishëm në Kuvend kanë nderuar me një minutë heshtje të gjithë të rënët për pavarësi.

Seanca solemne e Kuvendit, edhe Shkurte Fejza e Ilir Shaqiri të pranishëm - raportohet se do të këndojnë

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë solemne për shënimin e 26 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë seancë pritet të marrin pjesë edhe këngëtarët Shkurte Fejza e Ilir Shaqiri, që sipas raportimeve edhe do të këndojnë.

Pak para fillimit të seancës, një fotografi me ta e ka publikuar Shefi i Kabinetit të Kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli.

"Sërish vjen marsi me i thur’ kangë bash legjendarit, e t’i themi se gjaku i tij është vet liria që ka ardh", shkroi ai.

Sot seancë solemne në Kuvend, shënohet 26 vjetori i Epopesë së UÇK-së

Sot do të mbahet seancë solemne në Kuvendin e Kosovës.

Kjo bëhet me rastin e shënimit të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca do të mbahet nga ora 10:00, në Kuvendin e Kosovës

Njoftimi i plotë:

Nga: Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun

Për: Media

Lënda: Njoftim

Data: 5 mars 2024

Dita: E martë

Seancë solemne

Vendi: Kuvendi i Kosovës

Koha 10:00

Rendi i ditës

1. Shënimi i 26 – vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat