​Epopeja e UÇK-së, Quni: Sakrifica e familjes Jashari është shembull për liri

Aktuale

​Epopeja e UÇK-së, Quni: Sakrifica e familjes Jashari është shembull për liri

Më: 6 mars 2024 Në ora: 16:35
Anton Quni

Në 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, me ç‘rast nderuan jetën dhe veprën e familjes Jashari.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Anton Quni tha se në botë ka shumë shembuj të luftëtarëve dhe kombeve për liri, por sipas tij ngjarjet në Prekaz dhe sakrifica e familjes Jashari është shembull mbi shembujt.

Deputeti Quni potencoi se nderimi i tyre pranë varrezave në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz tregon se që t'i përmbahen zotimit të kahershëm “ne si Lidhje Demokratike e Kosovës gjithnjë do t'i respektojmë vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë”.

Ai shtoi se do të vazhdojnë me këtë zotim si amanet i baballarëve tanë, por edhe si obligim për t’ia lënë trashëgimi brezave që vijnë pas nesh.

Quni: Ngjarjet në Prekaz, sakrifica e familjes Jashari është shembull mbi shembujt

"Nderojmë jetën dhe veprën e komandantit legjendar, Adem Jashari, heronjve Shaban e Hamëz Jashari dhe tërë sakrificën e familjes Jashari. Në botë ka shumë shembuj të luftëtarëve dhe kombeve për liri, por ngjarjet në Prekaz, sakrifica e Jasharajve është shembull mbi shembujt. Jemi këtu që t'i përmbahemi zotimit të kahershëm që ne si Lidhje Demokratike e Kosovës gjithnjë do t'i respektojmë vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë. Gjithnjë duke kujtuar, duke nderuar dhe duke respektuar të gjithë dijetarët dhe luftëtarët të cilët sakrifikuan edhe me çmimin e jetës për shtetin e Kosovës. Gjithnjë duke i kujtuar edhe partnerët tanë, aleatët dhe miqtë tanë që në çdo kohë na qëndruan pranë. Prandaj, ne vazhdojmë me këtë zotim si amanet i baballarëve tanë, por edhe si obligim i joni që t’ia lëmë trashëgimi brezave që vijnë pas nesh. Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës", tha Quni.

5,6 dhe 7 marsi njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u vranë 59 anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës tri ditore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat