Kohëve të fundit pothuajse çdo kush po flet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.
Zëra të tillë ka edhe nga partia në pushtet.
Kurti në terren/ Kujtim Shala: Paraqitjet e shpeshta mund të jenë shenjë për zgjedhje të parakohshme
Në terren po shihet edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
E, me të edhe anëtarë të kabinetit qeveritar.
E, këto dalje të shpeshta të kryeministri Kurti dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, për deputetin e LDK-së, njëherit nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala, po shihen se mund të jenë edhe si shenjë për zgjedhje të parakohshme.
Ani pse siç thotë ai ky vit është vit i fushatës.
“Viti 2024 është i fundit i mandatit qeverisës të kësaj shumice parlamentare, prandaj dhe vit i fushatës. Për këtë arsye janë shpeshtuar paraqitjet e anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, përfshirë kryeministrin. Po ashtu, mund të jenë shenjë për zgjedhje të parakohshme”, është shprehur Shala.
Deputeti i LDK-së, njëherit nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas Shalës në këtë proces Kosova është përfaqësuar shumë keq.
“Në procesin e dialogut Kosova është përfaqësuar shumë keq, pa asnjë orientim të qartë dhe pa platformë. Qeveria ka qenë krejtësisht e papërgjegjshme, ndërsa kryeministri krejtësisht i humbur”, ka thënë deputeti Shala.
Shala thotë se kryeministri Kurti me Marrëveshjen e Brukselit dhe me Aneksin e Ohrit, ka pranuar autonominë politike-territoriale të serbëve, si dhe një status të veçantë të Kishës Ortodokse Serbe.
“Ai, me Marrëveshjen e Brukselit dhe me Aneksin e Ohrit, ka pranuar autonominë politike-territoriale të serbëve, si dhe një status të veçantë të Kishës Ortodokse Serbe, përtej rregullimit ligjor dhe kushtetues të Kosovës. Ka pranuar dhe draft-statutin për themelimin e kësaj autonomie të dyfishtë, të serbëve dhe të kishës. Po ashtu, për mungesë koordinimi me aleatët dhe për veprime të njëanshme të qeverisë, Kosova ka humbur përkrahjen e aleatëve tradicionalë, si dhe, nga ana e BE-së, është vënë në sanksione”, ka shtuar deputeti Shala.