Aeroplani i kompanisë “My Wings”, ka kohë që po sillej rreth pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Megjithëse zgjoi kurreshtje tek ata që e panë, kjo s’kishte të bënte fare me probleme gjatë aterimit.
E gjithë kjo kishte të bënte me një ushtrim trajnues të kompanisë në fjalë. Gjithçka ishte e planifikuar dhe kompania kishte kërkuar leje për ushtrime nga AShNA dhe Limak.
Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) Driton Ujkani tha se kjo s’ka të bëjë me ndonjë problem , por se janë ushtrime trajnuese të planifikuara.
“Aeroplani nuk ka problem të aterojë në ANP. E gjithë kjo ka të bëjë me ushtrime trajnuese, të cilat janë të planifikuara dhe për të cilat kompania ka marrë aprovimin e AShNA-s dhe Limak-ut. Këto janë procedura, të cilat herë pas here i bëjnë kompanitë, e të cilat kërkojnë aprovim për këtë“, tha ai.
Ndryshe, banorët e zonës së Sllatinës nga paniku e kanë filmuar aeroplanin, duke tentuar të ateroi.