Viti 2024 është edhe viti i fundit i mandatit të qeverisjes “Kurti 2”.
Maksimumi i mundshëm kur Kurti do të jetë në pushtet është deri në shkurt të vitit 2025.
Krejt kjo, në rast se në këtë vit nuk do të ketë zgjedhje të reja.
Ani, pse pothuajse çdokush flet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Madje, edhe nga partia në pushtet.
Vet kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se sa më herët që mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës do të jetë aq më mirë.
Sipas tij, në zgjedhjet e ardhshme gara do të jetë për vendin e dytë.
E, kohëve të fundit vizitat në terren nga kryeministri Albin Kurti e po ashtu edhe nga anëtarë të kabinetit qeveritar janë shpeshtuar.
Këto vizita nga opozita po shihen në një farë forme si një lloj fushatë elektorale.
Por, këto pretendime të opozitës i ka hedhur poshtë deputeti i partisë në pushtet, Alban Bajrami.
Ai thotë se kjo nuk është fushatë.
“Mua kjo nuk po më duket fushatë sepse kur të bëhet inaugurimi i një projekti të caktuar i cili përfundon i bjen që kryeministri e merr në ftesë dhe duhet të shkojë. Ndoshta opozita mendon që kryeministri nuk duhet të shkojë e duhet ata me shku, por s’mendoj se ka fushatë”, është shprehur Bajrami.
Ndërsa, deklaron se edhe nëse kjo do të ishte një lloj fushate, opozita nuk ka çka të frikohet për shkak që siç thotë Bajrami opozita po del mirë në sondazhe.
“Të paktën unë nuk e perceptoj si të tillë, janë detyra të zakonshme. Por, edhe nëse do të ishte si një lloj fushate çka kanë me u tut opozita ata po qëndrojnë shumë mirë në sondazhe”, ka thënë deputeti Bajrami.