Analisti politik, Arton Demhasaj ka deklaruar se janë disa çështje me rëndësi të cilat po e sjellin për vizitë në Kosovë të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Madje, sipas tij qëllimi është shumë i qartë.
“Qëllimi është shumë i qartë. Po shohim që ka një ngërç në dialog sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Njëkohësisht çështja e dinarit nga partnerët ndërkombëtarë po konsiderohet se po e pengon zbatimin e marrëveshjeve, pra këto besoj që kanë me qenë temat e diskutimit. Me shumë gjasë do të ketë presion ende më të madh te Qeveria e Kosovës për me shty marrëveshjen e zbatimit të dinarit, njëkohësisht me pranua draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pastaj me dërgu në Kushtetuese për me lëviz tutje”, ka thënë Demhasaj.
Kurse, për mos dërgimin e draftit të Asociacionit në Kushtetuese nga ana e Qeverisë, Demhasaj ka deklaruar se nevojiten disa procedura.
Por, se thotë se vonesën po e sheh si të qëllimshme nga kryeministri për shkak të zgjedhjeve.
“Kryeministri po më duket që qëllimisht po e shtyn zbatimin ose pranimin e draft-statutit për me ble kohë që me shumë gjasë të paktën qysh unë po e interpretoj qëllimi i tij është me kry mandatin e parë pa e themelua Asociacionin dhe pastaj me dal prapë në fushatë dhe me thënë që për katër vjet në Qeverisje ne nuk e bëmë Asociacionin e mandej kur të vjen herën tjetër normalisht që s’ka qare dhe e bën atë”, ka shtuar Demhasaj.