Analisti politik Xhevdet Pozhari, ka reaguar pas deklaratës së emisarit amerikan për dialogun Gabriel Escobar, i cili e ka quajtur “katastrofal” vendimin e Kosovës për ndalimin e dinarit serb.
Pozhari ka thënë se nëse amerikanët mendojnë se kështu do ta detyrojnë kryeministrin Albin Kurti, për ta themeluar Asociacionin, ata duhet të presin shumë.
Sipas tij, asnjë qeveri kurrë nuk ka vepruar më me vendosmëri në veri të Kosovës, se sa qeveria Kurti, përcjell Bota sot.
Reagimi i plotë i Pozharit, në Facebook:
Escobar e ka quajtur katastrofal vendimin e Kosovës për ndalimin e dinarit serb.
Pra, sipas tij, nuk është katastrofale pse me dekada kanë hyrë thasë me dinarë që nuk iu është ditur as prejardhja e as destinacioni. Nuk ka qenë katastrofale pse në emër të integrimit, ua kemi paguar rrymën serbëve në veri. Nuk kanë qenë katastrofale as laboratorët për mihjen e kriptovalutave, as kontrabanda, as laboratorët e drogës, as pasurimi i kriminelëve. Katastrofale, sipas tij, nuk ka qenë as mbajtja e zgjedhjeve serbe. As mbajtja e referendumit serb. As fakti që disa kanë veshur uniforma të Kosovës dhe i kanë shërbyer interesave të Serbisë.
Pra, as miliardat e Radoiçiqit, as vrasjet e policëve shqiptarë nuk kanë qenë katastrofale.
I vetmi veprim "katastrofal", sipas Escobarit ka qenë veprimi legjitim - ndalimi i përdorimit të çdo valute tjetër përpos euros.
Nëse kështu mendojnë se do ta detyrojnë Kurtin me e themelu Asociacionin, kanë me prit edhe shumë!
Asnjë Qeveri nuk ka vepruar më me vendosmëri në veri. Kurrë.
Kthejeni Hotin a ndonjë kryeministër tjetër "koti" në pushtet. Ndoshta të tillët do t'ua plotësojnë kërkesat. Me Kurtin, jo.