Vendimi për Manastirin, Krasniqi: Kurti po shkelë mbi secilën fjalë përmes së cilës ka ardhur deri këtu

Aktuale

Vendimi për Manastirin, Krasniqi: Kurti po shkelë mbi secilën fjalë përmes së cilës ka ardhur deri këtu

Më: 13 mars 2024 Në ora: 20:15
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas kërkesës ndaj Agjencisë Kadastrale të Kosovës që t’ia regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit, duke akuzuar se i humbi kohë të vlefshme Kosovës "për të përçarë opinonin me gjuhë helmues".

Në një prononcim kreu i PDK-së kritikoi ashpër Kurtin duke e akuzuar për “po detyrohet që të shkelë mbi secilën fjalë përmes së cilës ka ardhur deri këtu”.

“Ky është çmimi që paguan shoqëria për një politikan të papërgjegjshëm, i cili nuk ka zgjedhur as gjuhë dhe as veprime për të ardhë në pushtet, e po detyrohet që të shkelë mbi secilën fjalë përmes së cilës ka ardhur deri këtu. Kryeministri Kurti e ka ditur nga fillimi që ky vendim është obligues, por e ka përdorur këtë çështje, siç ka përdorur shumë të tjera, për të përçarë opinonin me gjuhë helmuese, duke pasur parasysh vetëm interesin personal e partiak dhe jo atë qytetar e shtetëror”, tha Krasniqi.

Krasniqi rikujtoi deklaratën e kreut të qeverisë kur vendimin e marrë sot kohë më parë e kualifikonte “si tradhti".

Sipas tij, kjo i kushtoi Kosovës “vite të shumta të humbura në agjendën e saj integruese, sanksione e masa ndëshkuese nga aleatët kryesorë e që nënkupton edhe stagnim të progresit ekonomik”.

“Ju kujtohet, ka qenë vetë Kryeministri që dikur e ka kualifikuar si tradhti një vendim të tillë, duke anatemuar e sulmuar secilin protagonist politik të vendit tonë ndër vite. Sot, është vet ai që po i zbaton këto vendime. Tani, çështja kryesore është se çfarë ka humbur Kosova: vite të shumta të humbura në agjendën e saj integruese, sanksione e masa ndëshkuese nga aleatët kryesorë e që nënkupton edhe stagnim të progresit ekonomik, tensionim të raporteve me partnerët ndërkombëtarë, si dhe humbje të respektit për shtetin tonë, mes shumë dëmeve të tjera”, shton tutje kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat