Deputeti i VV-së, Visar Korenica, është shprehur pro themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore, të cilin po e kërkon opozita.
Ndonëse partia e tij është shprehur kundër kësaj iniciative, deputeti në fjalë shihet duke e nënshkruar themelimin e këtij komisioni.
Më pas, ai e ka pranuar se e ka nënshkrua këtë iniciativë të opozitës.
“Po, e kam thënë edhe publikisht që e jap nënshkrimin. Nëse ka dyshime për keqpërdorime le të përdoren rrugët ligjore për të zbardhur do dyshim”, ka thënë Korenica.
Kujtojmë se seanca e sotme e thirrur nga opozita u përcoll me debate të ashpra e akuza drejt pushtetit për numrin e lartë të tenderëve një burimor, që nga ardhja e Albin Kurtit në krye të qeverisë.
Mirëpo qëndrimi i deputetët nga pozita ishte i shkurtë. Ata u larguan nga salla e Kuvendit, gjë për të cilën njoftoi në foltore shefja e grupit parlamentar Mimoza Kusari-Lila.
Sipas saj, seanca e ka humbur kuptimin e saj dhe kaloi në sharje e ofendime, duke iu drejtuar opozitës se nëse kanë fakte për hajni t’i dërgojnë në organet përgjegjëse.