Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka takuar sot komandantin e KFOR-it Ozkan Ulutash me të cilin ka diskutuar për sigurinë në vend.
Ajo në një postim në rrjetin X ka thënë se kanë diskutuar edhe mbi trajtimin e kërcënimeve të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon.
“Takimi i mirë me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash. Diskutuam zhvillimet e fundit të sigurisë dhe përkushtimin tonë për të vazhduar bashkëpunimin tonë të ngushtë me KFOR-in dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë në trajtimin e kërcënimeve ndaj paqes dhe sigurisë në vendin tonë dhe rajon”, ka shkruar Osmani.
Komandanti i KFOR-it e takon presidenten Osmani: Të koordinohemi për siguri
Presidentja Vjosa Osmani, është pritur në një takim nga komandanti i KFOR-it, Gjeneral-Majori Ozkan Ulutash, në selinë e KFOR-it në Camp Film City, në Prishtinë.
Siç njofton KFOR-i në X, Komandanti ka theksuar nevojën kruciale për koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm mes KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës dhe organizatave të sigurisë të Kosovës për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën, për të mirën e të gjitha komuniteteve.
“Ai ritheksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të mandatit të tij të marrë nga OKB-ja.
Ai gjithashtu nënvizoi përpjekjet e vazhdueshme të sigurisë të KFOR-it në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE-ja”, u tha në këtë njoftim.