Këtë vit për herë të parë deklarimit të pasurisë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit i janë shtuar edhe dy kategori.
Ajo e mjekëve të kujdesit shëndetësor sekondar dhe terciar dhe profesorëve universitar.
E, afati i fundit që kur këto dy kategori është dashur të deklarojnë pasurinë ka qenë 12 marsi.
Janë rreth 1430 mjekë dhe 730 profesor që janë të obliguar të bëhen pjesë e këtij procesi.
Kjo, është bërë e ditur në një përgjigje nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit(APK).
“Bazuar në të dhënat e regjistruara në sistemin për deklarim të pasurisë nga zyrtarët kontaktues të institucioneve shëndetësore rreth 1430 mjek kanë qenë të obliguar ta kryejnë deklarimin e pasurisë. Bazuar në të dhënat e regjistruara në sistemin për deklarim të pasurisë nga zyrtarët kontaktues të universiteteve publike rreth 730 profesor kanë qenë të obliguar ta kryejnë deklarimin e pasurisë”, thuhet në përgjigjen e APK-së.
Nga mbi 2100 mjekë e profesorë që i janë nënshtruar procesit të deklarimit të pasurisë, janë vetëm 20 që nuk e kanë kryer këtë obligim brenda afatit.
“Deri më tani, para përfundimit të verifikimit dhe kontrollimit për ndonjë lëshim teknik, rezultojnë rreth 20 profesorë dhe mjekë që nuk e kanë kryer brenda afatit këtë obligim”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Aktualisht APK-ja është duke i verifikuar dhe kontrolluar listat e deklarimit të pasurisë nga mjekët dhe profesorët.
Ndërsa, pas përfundimit të kësaj për ata që nuk e kanë deklaruar fare pasurinë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit do të filloj me shqiptim të gjobës mandatore prej 30% të pagës mujore.
“Pas përfundimit të verifikimit dhe kontrollimit për ndonjë lëshim teknik në listën e atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë, Agjencia do të filloj me shqiptimin e gjobës mandatore prej 30% të pagës mujore të tyre”, kanë bërë të ditur nga APK-ja.
Kurse, publikimi i pasurisë për këto dy kategori do të bëhet në afat të rregullt njëjtë sikurse edhe me zyrtarët e tjerë, në fund të muajit prill.