Kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se beson që do të jetë kryetar deri në fund të mandatit.
Ai shtoi se do t’i respektojë ligjet e Kosovës.
“Unë besoj që do të jem deri në fund të mandatit, por jemi duke punuar çdo ditë. Unë nuk besoj që kjo iniciativë do të ketë sukses. Në komunën e Zubin Potokut nuk do të ketë sukses. Ne jemi këtu dhe natyrisht që do t’i respektojmë të gjitha normat që vijnë nga ligjet e Kosovës”.
Zeqiri tha se nuk sheh vullnet te qytetarët serbë që të dalin të votojnë për shkarkimin e tij.
“Kemi komunikim të zgjeruar me qytetarët serbë këtu dhe nuk shohim vullnet te ta për të dalë për të votuar për shkarkimin e kryetarit”, tha ai.
Zeqiri tha se “një pjesë e madhe e qytetarëve nuk i besojnë më Listës Serbe dhe as nuk i binden”.