Gjykata Themelore në Gjakovë dje ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurit Dodë Gjikolaj, i cili sipas Prokurorisë Themelore akuzohej për veprën penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në lidhje me vendimin e Themelores në emisionin “Kosova Today” ka folur avokati i familjes Ahmeti, Prek Kola, i cili tha se ka pasur prova që i akuzuari Dodë Gjikola ka pasur kontakt dhe ka ndenjur në shtëpinë e të ndjerit për afër 1 muaj,
“I ka poseduar çelësat e shtëpisë dhe e ka pasur të njohur terrenin dhe ka bërë se kinse i kanë prishur raportet aty dhe ka ndodhur pastaj vrasja pas një jave”.
“Ne konsiderojmë se këtu ka pasur provë të mjaftueshme, pra tre dëshmitarë, Gani Ahmeti, Fatime Ahmeti, Farije Ahmeti e sidomos dëshmitari Albert Kameri i ka vërtetuar në tërësi pretendimet e akuzës”, tha ai.
Tutje, Kola tha se familja e viktimës janë të bindur se vrasjen e ka kryer i akuzuari Dodë Gjikolaj, i cili dje është liruar nga gjykata.
“Edhe për mua si avokat por edhe për familjen është i papranueshëm dhe shpresoj që në të ardhmen mos të ndodhin këso vendime sepse besoj se qytetarëve duhet t’iu kthehet besimi në drejtësi”, tha ai.