Sot janë bërë tri vjet qeverisje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Për këtë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se përgjatë këtyre viteve ka pasur degradim, korrupsion e nepotizëm.
“Tri vjet degradim – korrupsion – nepotizëm. Tri vjet keqqeverisje – izolim – frikë. Tri vjet mashtrim!”, ka shkruar Krasniqi.
Lidhur me trevjetorin e qeverisjes Kurti, nga opozita ka pasur reagime edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, në një konferencë për media ka thënë se Kosova është përballur me dëme të mëdha dhe kthim në pikën më të errët.
Ai ka thënë se për këtë kryeministri Kurti tani është dorëzuar dhe se po kërkon zgjedhje të parakohshme si një rrugë e vetme për ta përballuar dështimin e qeverisjes së tij.
Tahiri ka thënë se ka përgatitur një kërkesë për një debat parlamentar për të shqyrtuar performancën e kësaj qeverisjeje, e cila, sipas tij, ka dëmtuar Kosovën dhe e ka kthyer atë në një gjendje kritike.