Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci në shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit dhe 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ka thënë se 24 marsi i 1998-ës shënon datën e krenarisë dhe lavdisë së luftës çlirimtare.
“Pas fillimit të Epopesë së UÇK-së në Prekazin e Jasharajve legjendar, me strategji e vetëmohim epik, në Gllogjanin e Dukagjinit, u hap pika e dytë e frontit, kundër Serbisë gjakatare”.
“Data 24 mars 1998, shënon datën e krenarisë e lavdisë të luftës sonë çlirimtare, kur Haradinajt, do të dëshmojnë se lufta nuk mund të shuhej, përkundrazi, zjarri i luftës çlirimtare po merrte hov dhe nuk do të ndalej deri në çlirimin e plotë të Kosovës”, ka shkruar Lladrovci në llogarinë e tij në Facebook.
Ai më tutje tha se heroizmi i Haradinajve i filluar në Gllogjan do të mbetet faqe e ndritur e historisë së re.
“Heroizmi i Haradinajve i filluar në Gllogjan në krye me Bacën Hilmi, do të mbetet faqe e ndritur e historisë tonë të re”.
Ndërkaq sa i përket ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, kryetari tha se nderohen të gjithë ushtarët e tyre që dhanë jetën për Kosovën
“Rrafsh pas një viti nga Epopeja e Dukagjinit, aleanca më e fuqishme në botë, NATO-ja në krye me ShBA-në, do të vinte në përdorim aeroplanët me arsenalin e saj, kundër caqeve ushtarake dhe makinerisë vrastare serbe e cila po bënte krime të rënda në Kosovë. Kujtojmë sot me nderim, heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë së Kosovës! Nderojmë të gjithë ushtarët e NATO-s që humbën jetën në Kosovë!”.
“Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Haradinajve heroik!”.