Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga deputetë të Kuvendit dhe anëtarë të Kabinetit Qeveritar, sot, në shënim të 26-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit, bëri homazhe në Kompleksin e varrezave “Dëshmorët e Kombit” në fshatin Gllogjan.
Bëhet e ditur se Konjufca pasi vendosi lule në varrezat e të rënëve dhe nderoi sakrificën e tyre, vizitoi edhe muzeun e Kullës, në kuadër të Kompleksit memorial.
Epopeja e Dukagjinit shënon betejën frontale të 24 marsit 1998 midis UÇK-së dhe forcave serbe, pasi këto të fundit kishin sulmuar Gllogjanin, njërën nga bazat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari Glauk Konjufca sot ka bërë homazhe edhe në varrezat e fshatit Kotlinë të Kaçanikut, në nderim të dëshmorëve të rënë, të të vrarëve dhe masakruarve nga forcat pushtuese serbe më 24 mars të vitit 1999.