Qalaj thotë se Kurti e Sveçla “përzihen” në planet operacionale të Policisë së Kosovës

Aktuale

Qalaj thotë se Kurti e Sveçla “përzihen” në planet operacionale të Policisë së Kosovës

Më: 26 mars 2024 Në ora: 18:04
Rashit Qalaj

Qalaj thotë se Kurti e Sveçla “përzihen” në planet operacionale të Policisë së Kosovës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, tha se kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, “përzihen” në plane operacionale të Policisë së Kosovës.

Madje, Qalaj deklaroi se gjatë kohës sa ishte drejtor i përgjithshëm i Policisë, s’ka lejuar asnjëherë të “përzihen” ministrat.

Në kuadër të diskutimit se si është gjendja e Policisë tani nën qeverisjen aktuale, deputeti vlerësoi që s’janë të pavarur, ashtu siç do duhej të ishin.

“Të dy përzihen, Kurti e Sveçla. Por, normalisht që Sveçla është ministër i punëve të Brendshme, ai nga dëshira që të jetë sa më popullor, e sa më i dukshëm, po harron që është ministër, e jo pjesëtar i Policisë. Sa kam qenë unë drejtor i Policisë s’janë përzier ministrat, unë kam pasur fatin që  6 muaj të punoj me Sveçlën, por i kemi pasur përgjegjësitë e ndara. S’kam lejuar që të përzihen, unë dhe menaxhmenti kemi qenë mjaft të pavarur në kryerjen e punëve që i kemi pasur. Policia në aspektin operacional duhet të jetë e pavarur, por nuk është e pavarur. Këtë e dimë të gjithë, kjo ndodh për shkak se ministri brendshëm luan rolin e të gjithë strukturës së Policisë, jo vetëm të drejtorit”, potencoi Qalaj.

Tutje, Qalaj theksoi se Policia e Kosovës ka më së shumti nevojë të mbështetet me buxhet, teksa politikat të qëndrojnë sa më larg, në mënyrë që të funksionojnë më mirë.

“Policia e Kosovës ka nevojë të mbështetet me buxhet dhe pastaj t’i alokojnë resurset ashtu siç i planifikojnë gjatë planifikimeve të operacioneve. Policia ka kapacitete që të funksionojë ashtu siç duhet, që të jetë efikase e të ofrojë shërbime të mira për qytetarët e Kosovës, ndërsa politika të jetë sa më larg”, tha deputeti i PDK-së.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, sot në paraqitjen e raportit të punës për vitin 2023, para Komisionit për Çështje te Sigurisë, tha se situata e përgjithshme e sigurisë në vend është e qetë, por në pjesën veriore vazhdon të mbetet e brishtë.

Teksa përmendi sulmin terrorist në Banjskë, shtoi se gjatë vitit të kaluar kanë menaxhuar mbi 500 protesta në veri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat