Eksperti i sigurisë, doktor i shkencave Gurakuç Kuçi ngre alarmin se situata në Kosovës nuk do të jetë e qetë dhe se shumë shpejt do të nisin trazirat.
Gjatë një hulumtimi të publikuar në institutin për studime të luftës hibride, Octopus, ai tha se pritet që Serbia të angazhohet bashkë me Rusinë për tensionim të situatës në Kosovë para datës 27 maj.
Eksperti vë në pah faktin që retorika aktuale e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, kundër Kosovës është e njëjtë me atë para luftës të Putinit kundër Ukrainës, duke pretenduar një rrezikim të ekzistencës së pakicave.
Kuçi shkruan për ndikimin që ka Kisha Ortodokse Serbe në rajon, ndërsa përmend me shqetësim Kuvendin e Madh të Pashkëve ku do të mblidhet politika, akademikët serbë dhe përfaqësues fetarë ortodoksë serbë nga Serbia, Republika Srpska, Mali i Zi dhe Kosova më 5-6 maj, që përkon dhe me datën e shenjtit ushtarak sllav.
“Serbia dhe Rusia pas avancimit të Kosovës në NATO dhe KiE mund të mos kenë më arsye të presin dhe kjo i jep arsye edhe Rusisë për ashpërsim të luftës. Avancimi i Kosovës tregon se do ketë intensifikim përplasjesh në nivel global dhe rajonal. Retorika e njëjtësuar Vuçiç–Putin dhe angazhimi i Kishës Ortodokse Serbe në një datë të shenjtë tregon angazhim në ndërmarrje të reja”, thuhet në konkluzionet e hulumtimit, Octopus.
Ai shkruan më tej se “Rusia dhe BRICS janë të interesuar ta mbajnë gjendjen aktuale të luftërave dhe t’i zgjerojnë ato por në asnjë mënyrë armëpushim”.