Sot do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në KiE.
Mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pritet të fillojë në ora 14:30.
Raporti i raportueses do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare. Më pas, do të duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KiE.
Kosova shpreson që ta ketë anëtarësim të shpejtë në këtë organizatë.
Para kësaj mbledhje ka folur presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se shpreson që raporti të miratohet dhe që më pas Asambleja e Përgjithshme ta rekomandojë anëtarësimin.
Duke folur për gazetarë në Prishtinë, Osmani tha se raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, rekomandon se Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Teksa ka komentuar letrën e tre liderëve të shtetit drejtuar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakyoannis, e në të cilën u dha zotimi për zbatim të marrëveshjeve, në të cilat përfshihet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentja Osmani ka deklaruar se “Kosova ka dhënë përkushtimin për themelimin e Asociacionit, nëpërmjet ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes së vitit 2013, por edhe me Marrëveshjen Bazë të shkurtit të vitit 2023”.
Vendimmarrja e Këshillit të Evropës do të vihet në lëvizje pasi Qeveria e Kosovës i kërkoi Agjencisë Kadas trale t’ia bartë Manastirit të Deçanit pronën afro 24-hektarëshe, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Zbatimi i vendimit që ishte nxjerrë në vitin 2016 përbën një nga kushtet kryesore që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
Kështu tha kryeministri Kurti, në njoftimin e tij ku bëri të ditur se ka kërkuar të zbatohet ky vendim. Për zbatimin e vendimit, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.
Ajo ka thënë se nëse nesër ka kuorum, pra deputetë të mjaftueshëm, raporti i raportueses Dora Bakoyannis do të miratohet.
“Ne mendojmë se nëse nesër krijohet kuorumi i nevojshëm për trajtimin e kërkesës për Kosovën, atëherë mendojmë që një kërkesë e tillë, pra raporti do të mund të miratohet” ka thënë Gërvalla.
Çështja e kuorumit është ngritur për shkak të mundësisë që deputetët të mos udhëtojnë në Paris për shkak të festës së Pashkëve.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022. Më 24 prill 2023, aplikacioni i ishte përcjellë për konsultim sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Si rezultat i kësaj, me propozim të Presidentit, Asambleja Parlamentare caktoi juristët për ta përpiluar raportin për Kosovën.
Ky raport do t’i shërbejë Asamblesë Parlamentare në hartimin e opinionit për Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.
Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, Kosovës i duhet mbështetja prej dy të tretave.
Demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligji janë tri vlerat kryesore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.